Historia e Niko Kitës, 70-vjeçari nga Korça që u gjet i vdekur në banesë mbrëmjen e sotme, është sa e trishtueshme, por edhe dhe një këmbanë alarmi për institucionet përgjegjëse e mbarë shoqërinë shqiptare.
I moshuari u gjet pa jetë në banesë, ndërsa bashkëshortja dhe 2 vajzat e tij jetonin jashtë vendit, njëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra në Itali.
E megjithatë, i moshuari nuk pati askënd afër në grahmat e fundit të jetës, as 2 vajzat dhe as gruan, madje dyshohet se ai ka vdekur disa ditë më parë.
Hera e fundit që fqinjët e panë Nikon ishte dita e hënë 1 shtator. Jashtë kamerave ata tregojnë se i moshuari jetonte në vetmi, ndërsa bashkëshortja kishte zgjedhur t’i shkonte pas vajzës që kishte emigruar në Itali.
Pasojat më të rënda të emigracionit po i shohim tek mosha e tretë, ku numri i të moshuarve që jetojnë vetëm, pa përkujdesjen e fëmijëve dhe institucioneve shtetërore sa vjen e shtohet.