Ka ndërruar jetë pas mesnate edhe pasagjeri i kamionçinës që u përfshi në aksidentin e rëndë të ndodhur të hënën në autostradën Levan–Vlorë, duke e çuar në dy numrin e viktimave.
Viktima e dytë është Artan Muho, i cili u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës pas aksidentit, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes humbi jetën menjëherë drejtuesi i kamionçinës, Ferdinant Hasani.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:25 të së hënës. Kamionçina doli nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse, duke përfunduar në anë të saj.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, kamionçina u godit nga një automjet tip Dacia, në të cilin udhëtonin dy shtetase të huaja. Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e kamionçinës dhe më pas edhe për pasagjerin.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit, ndërsa të dhënat e para flasin për dalje nga korsia të njërit prej automjeteve.