Ballina Kulturë Tenori Saimir Pirgu, koncert në Shirokë/ Kelaj: Pjesë e aktivitetit edhe kori...

Tenori Saimir Pirgu, koncert në Shirokë/ Kelaj: Pjesë e aktivitetit edhe kori i fëmijëve

0
21

Për herë të parë kori i fëmijëve i Qendrës Kulturore “Kujtim Alia” në Shkodër do të jetë pjesë e koncertit të tenorit të mirënjohur Saimir Pirgu. Ky aktivitet do të mbahet më 5 shtator në zonën turistike të Shirokës.

Drejtoresha e Qendrës Kulturore, Orjeta Kelaj, tha se ftesa për korin është bërë pikërisht nga dirigjentja Elda Laro dhe se provat e fëmijëve kanë nisur që në muajin qershor.

“Ftesa për bashkëpunim ka ardhur shumë herët, ne kemi që në muajin qershor që me ftesë të dirigjentes Elda Laro ishte menduar që kori i fëmijëve të ishte pjesë e këtij koncerti. Sigurisht u përgjigjem pozitivisht duke ditur edhe kapacitetin e fëmijëve. Po punojmë, jemi në ditët e fundit të përgatitjeve. Dje fëmijët kishin një eksperiencë të bukur sepse ishte lidhja e parë me orkestrën simfonike”, tha Orjeta Kelaj.

Një vit më parë në koncertin e Ramë Lahajt, fëmijët patën një tjetër përvojë të veçantë. Eksperienca këto që rrisin vetëbesimin e fëmijëve për të qenë pjesë e skenave të mëdha.

“Sigurisht që kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore ‘Kujtim Alija’ i ka të gjitha kapacitetet sepse është një kor që punon gjatë gjithë vitit dhe nuk mblidhet vetëm në raste aktivitetesh. Mezi pres të shoh paraqitjen e fëmijëve sepse e di që do të jetë ndër pjesët më të bukura. Sepse nuk është vetëm një, por janë 5 pjesë në të cilën fëmijët do të shoqërojnë tenorin e mirënjohur Saimir Pirgu”.

Dirigjentit me famë botërore do t’i bashkohet Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin virtuoz të maestros Elda Laro për të dhuruar një mbrëmje të magjishme buzë liqenit të Shkodrës.