Ballina Bota Tërmeti në Afganistan, talebanët kërkojnë ndihma ndërkombëtare

Tërmeti në Afganistan, talebanët kërkojnë ndihma ndërkombëtare

0
25

Talebanët kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare ndërsa Afganistani po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues që ka vrarë mbi 900 persona dhe ka lënë mijëra të plagosur.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhduan të kërkonin për të mbijetuar deri në orët e vona të së hënës, pasi tërmeti me magnitudë 6.0 goditi vendin të dielën dhe shkatërroi fshatra të tëra në provincën lindore të Kunarit, pranë kufirit me Pakistanin.

Shumë persona mbetën të bllokuar nën rrënojat e shtëpive prej balte dhe guri të ndërtuara në lugina të thepisura, por ekipet e shpëtimit hasën vështirësi për të arritur në zonat e largëta për shkak të terrenit malor dhe kushteve të këqija atmosferike. Tërmeti ishte i cekët, vetëm 10 kilometra nën sipërfaqe, gjë që e rrit fuqinë shkatërruese.

Yousaf Hammad, zëdhënës i Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive në Afganistan, deklaroi të martën se numri i viktimave ishte rritur në 900, ndërsa 3 mijë persona janë plagosur.

Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave pritet të rritet më tej sapo ekipet e shpëtimit të arrijnë në zonat më të izoluara, shumë prej të cilave kanë mbetur ende të paarritshme edhe më shumë se 24 orë pas goditjes së tërmetit.

“The Guardian” shkruan se Sharafat Zaman, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Kabul, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë. “Na nevojitet ndihmë, sepse shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shtëpitë e tyre,” tha ai.

Afganistani tashmë ndodhej në një krizë të thellë ekonomike dhe ishte përballur me tërheqjen drastike të ndihmës ndërkombëtare pas marrjes së pushtetit nga talebanët në vitin 2021. Politikat e ashpra të tyre, si ndalimi i edukimit dhe punësimit për gratë, kanë çuar në rënien e ndjeshme të fondeve humanitare dhe ndihmës ndërkombëtare.

Kjo fatkeqësi natyrore pritet të rëndojë edhe më shumë mbi burimet e kufizuara të administratës talebane, e cila po përballet gjithashtu me kthimin e qindra mijëra afganëve të dëbuar nga Irani dhe Pakistani javët e fundit.

Autoritetet lokale njoftuan se tre fshatra në Kunar janë rrafshuar plotësisht, ndërsa shumë të tjerë janë dëmtuar rëndë. Të paktën 610 persona janë raportuar të vdekur vetëm në Kunar dhe 12 në Nangarhar.