Ballina Ekonomia “Tkurrje” e besimit të biznesit, BSH publikon të dhënat: Industria e ndërtimit...

“Tkurrje” e besimit të biznesit, BSH publikon të dhënat: Industria e ndërtimit në rënie, rritet tregtia

0
24

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike shënoi një tkurrje prej 0.8 pikësh në muajin gusht, sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, niveli i tij mbetet rreth 8 pikë përqindje mbi mesataren historike, çka tregon se aktiviteti ekonomik ende ruan ritme të kënaqshme, pavarësisht luhatjeve.

Rënia u ndikua kryesisht nga një rënie e besimit në sektorë si industria, ndërtimi dhe shërbimet, ndërkohë që tregtia përjetoi një rritje të fortë. Treguesi i Besimit të Industrisë ra me rreth 4 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet më pak pozitive për prodhimin industrial dhe pritjet më të dobëta për porositë nga eksportet.

Ndërtimi regjistroi gjithashtu një ulje me 2 pikë përqindje, e lidhur me rënien e aktivitetit aktual ndërtues, megjithëse pritjet për punësim dhe çmime mbeten në rritje.

Në sektorin e shërbimeve, treguesi ra me 2.1 pikë përqindje, kryesisht për shkak të një rënie te lehte sa i përket kërkesës dhe pritshmërive për punësim.

Nga ana tjetër, tregtia përjetoi një ngritje të dukshme prej 5.4 pikësh, falë rritjes së pritjeve për ecurinë e biznesit dhe punësimin në të ardhmen.

Nga ana tjetër, konsumatorët shfaqën më pak optimizëm ku treguesi shfaqi një rënie te lehtë me 0.5 pikë, duke reflektuar pritshmëri më të ulëta për gjendjen financiare dhe blerjet në shuma të mëdha.

Vlen te thuhet se treguesit mbeten mbi mesataret afatgjata, ndonëse luhatjet e gushtit sugjerojnë një ngadalësim të prirjes pozitive në ekonomi.