Të paktën 1,000 persona humbën jetën kur një rrëshqitje dheu përfshiu një fshat në malet Mara në rajonin Darfur të Sudanit perëndimor duke lënë vetëm një të mbijetuar, tha të hënën Lëvizja/Ushtria Çlirimtare e Sudanit (SLM/A).
Rrëshqitja e dheut goditi komunitetin më 31 gusht pas ditësh shirash të rrëmbyeshëm, sipas grupit, të udhëhequr nga Abdelwahid Mohamed Nour.
Lëvizja, e cila kontrollon një pjesë të rajonit të gjerë të Darfurit, i bëri thirrje OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës që të ndihmojnë në gjetjen e trupave të viktimave.
Fshati u “shkatërrua plotësisht”, tha i njëjti burim.
Shumë nga viktimat kishin ikur për t’i shpëtuar luftës midis ushtrisë së rregullt dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), e cila ka vazhduar që nga prilli i vitit 2023, dhe u strehuan në Malet Mara, pavarësisht mungesave të ushqimit dhe ilaçeve në zonë.
Lufta në Sudan, tani në vitin e saj të tretë, ka marrë jetën e dhjetëra, nëse jo qindra mijëra njerëzve, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka shkaktuar atë që OKB e quan “kriza më e keqe humanitare në botë”, me më shumë se gjysmën e popullsisë që përballet me një krizë ushqimore.
Fronti më aktiv aktualisht është ai i kryeqytetit të rrethuar të shtetit të Darfurit të Veriut, El Fasher, të cilin RSF po përpiqet ta marrë nën kontroll, duke përshkallëzuar sulmet e saj.