Gjatë vitit 2024, tregu i punës në Shqipëri ka shënuar një ulje të lehtë të papunësisë, por sfidat strukturore mbeten të dukshme.
Sipas të dhënave të INSTAT për tregun e punës në 2024, numri i të papunëve arriti në 109.854 persona, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë ishte 8,5 %, duke rënë me 1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, të rinjtë mbeten më të prekurit: papunësia për grupmoshën 15-24 vjeç arrin në 22,8 %, edhe pse kjo shifër u ul me 1,7 pikë përqindje në raport me një vit më parë. Një tjetër problem i theksuar është papunësia afatgjatë, e cila përfshin 75,8 % të të papunëve gjithsej, duke u rritur me gati 5 pikë përqindje brenda vitit.
Sipas nivelit arsimor, shkalla më e lartë e papunësisë regjistrohet tek personat me arsim të mesëm (10,7 %), ndërsa më e ulëta tek ata me arsim 8/9-vjeçar (7,6 %), edhe pse të gjitha kategoritë arsimore kanë përjetuar një rënie krahasuar me 2023-in. Nga ana tjetër, rreth një e katërta e popullsisë së moshës 15-64 vjeç mbetet ekonomikisht joaktive (24,3 %), ku dominojnë nxënësit dhe studentët (36,1 %), ndërsa një pjesë e konsiderueshme e grave (24,9 %) i dedikohen detyrave shtëpiake.
Sipas shifrave shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 8,0 % dhe për femrat është 9,2 %.
Personat e papunë, prej një viti a më shumë, përbëjnë 75,8 % të të papunëve gjithsej. Krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 4,9 pikë përqindje.
Duke analizuar shkallën e papunësisë, sipas nivelit arsimor në vitin 2024, vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm (10,7 %), ndjekur nga ata me arsim tetë /nëntëvjeçar (7,6 %).
Gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin e mëparshëm, shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm, është ulur me 0,9 pikë përqindje, për personat me arsim të lartë, pësoi një ulje me 1,6 pikë përqindje dhe për personat me arsim 8/9 vjeçar, është ulur me 0,6 pikë përqindje.
Të dhënat për popullsinë ekonomikisht joaktive
Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024, 24,3 % e popullsisë që i përket grupmoshës 15-64 vjeç është ekonomikisht joaktive. Struktura e popullsisë jashtë forcave të punës është e dominuar nga nxënësit/studentët (36,1 %). Në këtë grupmoshë, pjesa që zënë personat e papunë, të cilët nuk po kërkojnë punë për arsye se besojnë se nuk ka punë të disponueshme, është 4,2 %.
Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç ekonomikisht joaktivë, 4,7 % janë të papunë të dekurajuar, 47,6 % janë nxënës/studentë ose në trajnim të mëtejshëm, 3,5 % në pension ose pension të parakohshëm.
Ndërsa, për femrat e moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo aktive, 3,9 % janë të papunë të dekurajuar, 29,7 % janë nxënës/studentë ose në trajnim të mëtejshëm, 16,2 % në pension ose pension të parakohshëm dhe 24,9 % e tyre janë duke përmbushur detyrat shtëpiake.
Të rinjtë e papunësuar, jashtë shkollës dhe që nuk ndjekin ndonjë formim profesional
Ndërkohë sipas të dhënave, 22% e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç, nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional. Në këtë grup 44,9 % e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (2,0 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (14,9 %), ose për arsye të tjera (38,2 %). Krahasuar me vitin paraardhës, të rinjtë e dekurajuar pësuan një ulje prej 0,3 pikë përqindje.
Duke analizuar të rinjtë të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (55,9 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 36,0 %), përfundon raporti.