Ballina Ekonomia Ankand për shitjen e objekteve industriale dhe ndërtesave në disa qytete

Ankand për shitjen e objekteve industriale dhe ndërtesave në disa qytete

27
0

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka shpallur zhvillimin e një ankandi publik për shitjen e disa objekteve në administrim të Shoqërive Huamarrëse, i cili do të mbahet më 25 shtator 2025 pranë Drejtorisë së Shërbimeve të Pronës Publike (D.SH.P.P).

Në listën e pasurive që do të dalin në ankand përfshihen ndërtesa dhe ish-objekte industriale të vendosura në Elbasan, Përmet, Fier dhe Mirditë. Vlerat e tyre fillestare variojnë nga 162 mijë lekë për ndërtesa të vogla në zonën e Zavalinës, deri në mbi 56 milionë lekë për ish-fabrikën e salcës në Fier, që përbën objektin më të madh të këtij ankandi.

Objektet në ankand

• Ndërtesa në Zavalinë, Gjinar, Elbasan – katër objekte me vlera fillestare nga 162 mijë deri në 1.1 milion lekë dhe sipërfaqe nga 25 deri në 350 m².

• Ish Fabrika e Sallamit dhe Magazinë Prodhimi në Përmet – me vlerë fillestare 3.5 milion lekë dhe sipërfaqe 720 m².

• Ish Fabrika e Salcës në Fier – objekti më i madh në ankand, me sipërfaqe prej 14,030 m² dhe vlerë fillestare 56.1 milion lekë.

• Ish Frigoriferi në Rrëshen, Mirditë – dy objekte me sipërfaqe respektive 1,000 m² dhe 45 m², me vlera fillestare 4.6 milion lekë dhe 206 mijë lekë.

Procedurat e pjesëmarrjes

Të interesuarit, individë apo subjekte juridike, duhet të paraqiten në datën dhe orën e përcaktuar për çdo objekt, duke sjellë paraprakisht dokumentacionin përkatës:

1. Kërkesë me shkrim të regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

2. Garanci bankare ose mandat pagesë në origjinal që provon ngurtësimin e 20% të vlerës fillestare të ankandit.

3. Dokument identifikimi.

Në rast se një pjesëmarrës tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë, humbet 20% të garancisë së depozituar. Garancia mund të bëhet pranë çdo banke të nivelit të dytë, pas marrjes së faturës përkatëse nga D.SH.P.P. ose degët e thesarit.