Raporti i fundit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ka listuar plazhet me te pastra dhe ato me te ndotura ne vend, ne permbyllje te sezonit turistik.
Sipas Agjencisë, shqetësim serioz mbetet derdhja e ujërave të ndotura të bizneseve në lumenj apo direkt në det përmes kanaleve, të hapura prej tyre.
“Burimet e ndotjes së ujërave të larjes janë numri i larte i pushuesve sidomos ne pikun e sezonit por dhe gjate muajit Shtator, derdhja e ujërave sipërfaqësore dhe shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, si dhe prania e mbetjeve urbane inerte”, thuhet në raport.Sipas tij, plazhet me cilësi më të mirë për vitin 2024 janë vlerësuar ato në Lukovë, Palasë, Drimadhe, Dhërmi, Jalë, Livadh dhe Borsh duke vijuar me plazhet Shëngjin, Tale, Gjiri i Lalzit, Seman e Derëzezë, Divjakë, Zvërnec, Orikum.
Ndërsa me cilësi jo të mirë ku duhet të merren masa të menjëhershme janë Velipojë, Durrësi, Kavajë, Qerret, Spille, Vlorë, Himarë, Qeparo, Sarandë, Ksamil dhe Lin-Pogradec.
“Për përmirësimin e cilësisë të plazheve të ndotura kërkohet marrja e masave për trajtimin e ujërave të ndotura urbane përpara derdhjes në ujërat pritëse si shkaktari kryesor i ndotjes së tyre”, thotë agjencia.
Në vend janë vetëm 14.6% e plazheve me cilësi të shkëlqyer (stacioni Spille Djathtas, stacioni Plazhi Lame Borshi, Plazhi i Palasës, Drimadhes etj.), në rënie krahasuar me 2023-shin kur kjo shifër ishte 27.8%. Kurse plazhe me cilësi të mirë janë 43.6% në rritje në raport me 2023. Sipas raportit ka rënë sipërfaqja e plazheve të shkëlqyera dhe janë rritur ato me cilësi të mirë.
Vitin e kaluar një task-forcë e ngritur nga qeveria synonte pikërisht të ndëshkonte bizneset që nuk instalonin impiante të trajtimit të ujërave të ndotura që gjeneroheshin nga aktiviteti i tyre, por mesa duket efektet nuk ishin të dukshme.
Edhe lumenjtë po përballen me abuzime nga qytetarë e biznese. Lumi i Tiranës, Ishmi dhe Gjanica vijojnë të jenë lumenjtë më të ndotur në Shqipëri.
Agjencia e Mjedisit thotë se duhet ndërhyrje e menjëhershme për trajtimin e ujërave të ndotura urbane që shkarkohen në ujërat pritëse duke qenë se janë shkaktari kryesor i ndotjes së lumenjve.
“Probleme shqetësuese në shumë basene janë shkaktuar nga hedhja e mbeturinave në shtretërit e lumenjve dhe në terracat aluviale të tyre duke shkaktuar ndotje të ujërave sipërfaqësore dhe atyre nëntokësore. Ka shfrytëzim të zhavorreve në shtratin e lumit Drin dhe Mat”, vijon raporti.