Spartak Ngjela
Altin Dumani, kreu i SPAK-ut, është pritur dje në Uashington nga zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan P. Hanrahan, përfaqësues i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Takimi është parë si një sinjal i fortë mbështetjeje dhe një mesazh i qartë për vazhdimin pa kompromis të hetimeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri.
Lidhur me këtë vizitë, ka reaguar avokati Spartak Ngjela. Në një postim të drejtpërdrejtë dhe ironik, ai thumbon Berishën dhe nënvizon domosdoshmërinë e rezultateve konkrete nga SPAK.
“Po tani që Dumani si prokuror i fuqishëm u thërrit në Uashington; çfarë fantazie provinciale do të na shprehë Berisha? Jo, më e saktë është pyetja: Çfarë do të bëjë SPAK kundër korrupsionit të lartë shtetëror dhe krimit të organizuar në Shqipëri?”, shkruan Ngjela.
Ky zhvillim vjen në një moment kur SPAK ka intensifikuar hetimet dhe pritet të shpallë vendime të rëndësishme për çështje me ndjeshmëri të lartë publike. Vizita në SHBA mund të interpretohet si një “karikim politik dhe institucional” për Dumanin, në një periudhë kur institucionet e drejtësisë janë nën presionin e opinionit publik për të çuar përpara hetimet pa u ndalur përballë emrave të mëdhenj.