Nga Neritan Vladi
Thirrja e kreut të SPAK në DASH, takimi kokë më kokë me një zyrtarë të lartë, (Kreun e Byrosë), është një konfirmim zyrtar që takimi i Altin Dumanit ka një peshë të veçantë diplomatike dhe strategjike për SHBA dhe interesat e saj në rajon dhe specifikisht në Shqipëri.
Por ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për përmbajtjen e bisedës dhe me shumë gjasa ajo do tē mbahet sekret, sipas vetë njoftimit zyrtar të DASH, si mund ta kuptojmë këtë vizitë të kreut të SPAK, ndërkohë që sulmet e politikës së korruptuar në Shqipëri kundër këtij institucioni, janë intesifikuar?
Fakti që:
– Takimi zhvillohet me Brendan P. Hanrahan, zyrtar i lartë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në DASH, është njoftuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe zhvillohet me dyer të mbyllura për mediat, tregon që diskutohet për çështje “shumë të ndjeshme”, që mund të përfshijnë:
1. Ecurinë e hetimeve të bujshme në Shqipëri, veçanërisht lidhur me korrupsionin në nivele të larta.
2. Presionet politike ndaj SPAK dhe rreziqet ndaj pavarësisë së institucionit.
3. Koordinim mbi sanksione të mundshme nga DASH apo Thesari i Shtetit për individë, apo “organizata” me ndikim në Shqipëri dhe rajon.
4. Roli i SPAK në konsolidimin e Reformës në Drejtësi, si një nga pikat kyçe të politikës së jashtme amerikane në Ballkan.
Por pse është me rëndësi ky zhvillim për Shqipërinë?
– Sepse një zyrtar i këtij niveli, nuk takohet me çdo drejtues institucioni.
– Gjithashtu tregon vazhdimësinë e presionit ndërkombëtar, për të çuar deri në fund goditjen ndaj korrupsionit të lartë në Shqipëri.
– Por mbi të gjitha është një mbështetje e qartë ndaj Altin Dumanit dhe rolit të tij, në një moment kur ai ndodhet nën sulme të brendshme, nga Berisha hapur dhe egër, por edhe Rama, fshehtas dhe me qëllim final marrjen nën kontroll të SPAK.
Ky takim është gjithashtu një sinjal publik për popullin shqiptar, demokratët dhe socialistët e ndershëm, por edhe për ata të verbuar nga Rama&Berisha dhe propaganda e medieve të tyre, edhe pse i mbyllur për mediet. Shumë gjëra thuhen, edhe kur nuk thuhen. Ndaj se çfarë kanë qenë temat dhe direktivat e administratës Trump për Dumanin në këtë takim, krismën do ta dëgjojmë në Tiranë, në ditët dhe muajt në vazhdim.
Por një gjë është e sigurt: Rama dhe Berisha me gjithë shpurat e tyre të korruptuara, të cilët menduan se “fituan” në 11 maj, tani e tutje duhet ti bëjnë hesapet e mbijetesës së tyre politike dhe penale, edhe me SHBA-në fushë!