Ballina Politika Flamur Noka spastron Këshillin Kombëtar të PD/ Heq nga grupi i WhatsApp...

Flamur Noka spastron Këshillin Kombëtar të PD/ Heq nga grupi i WhatsApp anëtarët që nuk u rizgjodhën deputetë

17
0

Flamur Noka nis spastrimet në parti, heq nga grupet e WhatsApp deputetët që nuk rimorën mandatin, ende pa u betuar të rinjtë

Në Partinë Demokratike nisin “spastrimet” e radhës, në nisje të sezonit të ri politik në vend. Deputetët demokratë të cilët nuk arritën të rikonfirmoheshin në parlament, pasi u lanë jashtë listës së mbyllur, janë hequr që sot nga grupet e aplikacionit WhatsApp, për anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe të vetë grupit parlamentar.

Report Tv konstatoi se fshirja e tyre nga grupet e WhatsApp është bërë direkt nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka. Në Këshillin Kombëtar, përveç atyre që janë të zgjedhur, bëjnë pjesë automatikisht dhe deputetët e zgjedhur. Ata që humbën në garën e 11 majit, e kishin të qartë se sipas statutit nuk do të mund të ishin më pjesë e forumit të lartë.

Por duke i qëndruar rigorozisht rregullave, ata janë ende deputetë, përsa kohë parlamenti i ri nuk është mbledhur ende. Por kjo lëvizje duket se është e lidhur me mbledhjen e afërt të forumeve, javën e ardhshme. Disa prej atyre që nuk fituan, kanë ngritur zërin, duke folur për nevojën e një analize të humbjes së thellë që PD pësoi, apo nevojën e hapjes së partisë dhe ndryshimeve në drejtimin e saj.

Një qëndrim që bie ndesh me linjën e kryetarit Berisha, që vijon të flasë për një farsë elektorale, e një parlament që nuk do ta njohë, ndonëse do të jetë grupi i opozitës do të jetë i pranishëm në sallë sikundër dhe në komisione.

Hapja e një debati të brendshëm. Qoftë edhe sikur të bëhet fjalë për zëra të izoluar, duket se do të ishte e bezdisshme për PD-në. Dhe Noka ka zgjedhur rrugën më të thjeshtë, por aspak dinjitoze, duke i shmangur nga komunikimi.