Ballina Aktualitet Koçiu: Mikroskop digjital në Shërbimin e Neurokirurgjisë, teknologjia më e avancuar për...

Koçiu: Mikroskop digjital në Shërbimin e Neurokirurgjisë, teknologjia më e avancuar për kirurgjinë e trurit e të…

18
0

Shërbimi i Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është tashmë i pajisur me mikroskopin digjital “Aesculap Aeos” që zëvendëson pajisjen e mëparshme dhe sjell një nga teknologjitë më të avancuara për kirurgjinë e trurit dhe të shtyllës kurrizore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i QSUNT, Florenc Spaho, ishte sot në ambientet e këtij shërbimi, ku u njoh nga afër nga përfitimet që sjell ky investim për mjekët dhe pacientët.

Koçiu theksoi se ky investim i qeverisë shqiptare rrit sigurinë dhe efikasitetin e ndërhyrjeve për pacientët, duke shërbyer njëkohësisht edhe si mjet i vlefshëm trajnimi për mjekët e rinj, të cilët mund të ndjekin drejtpërdrejt operacionet nga monitori.

Ministrja theksoi se vetëm gjatë vitit 2024, në këtë shërbim u kryen rreth 1700 ndërhyrje, ku rreth 30% e tyre kërkonin përdorimin e mikroskopit.

“Më vjen mirë për diçka që kishim mundësi ta ofrojmë, një teknologji të tillë të fjalës së fundit që shërben edhe në ndërhyre të trurit. Statistikat e vitit 2024 ishin pothuajse 1700 ndërhyrje të kryera në shërbimin e neurokirurgjisë nga të cilat 600 me mikroskopin optik që ishte më parë”, tha ministrja.

Ndërkohë me mikroskopin e teknologjisë së fundit, Koçiu theksoi se “edhe ndërhyrjet bëhen më precize, më të sakta, dhe shmangin gjithnjë e më shumë të gjitha komplikacionet që vijnë si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale”.

Neurokirurgu Artur Xhumari sqaroi se tashmë nuk punohet më me mikroskopin e zakonshëm që ka qenë mekanik dhe optik, por mikroskopi i ri është robotik dhe digjital dhe ky është një hap i madh.

Sipas dr. Xhumarit, “rreth 25% është kërkesa që kemi nevojë për mikroskop gjatë operacionit”.

“Kanë ndriçimin me infrared dhe infraviolet që na lejon të shohim qoftë arteriet, qoftë ndonjë tumor të vogël që mund të kemi. Kështu që heqim më shumë tumor dhe jetëgjatësia bëhet më e madhe”, u shpreh ai.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, Florenc Spaho u shpreh se “risi është që edhe me inxhinierët që kemi folur që na kanë asistuar nga jashtë, kjo është e vetmja pajisje mikroskop në Ballkanin Perëndimor që e ka vetëm Tirana në shërbimin e kirurgjisë”.

“Nga këtu mjeku mund të shikojë ndërhyrjet që bën kirurgu primar dhe mund të asistojë në konsulencë, por edhe mjekët e rinj specializantë mund ta shikojnë në kohë reale ndërhyrjen duke asistuar nga jashtë”, shtoi ai.