Anëtari i kryesisë së PD, Orest Berberi, në një deklaratë për mediat ka denoncuar situatën alarmante me Gjimnazin “Gjergj Kastrioti” në Durrës dhe sitin arkeologjik të zbuluar në vendin ku ishte parashikuar ndërtimi i shkollës së re.
Sipas tij, ky nuk është thjesht problemi i një godine shkolle, por një tregues i mashtrimit qeveritar, mungesës së transparencës dhe dështimit të plotë të institucioneve.
Berberi theksoi se pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, godina e gjimnazit u shpall e papërdorshme, ndërsa nxënësit u shpërndanë në shkolla të tjera me premtimin se do të kishin një shkollë të re.
Në mars 2022 godina u shemb, ndërsa qeveria dhe bashkia prezantuan projekte 3D, të cilat sot rezultojnë mashtrim, pasi kantieri është i braktisur dhe trashëgimia arkeologjike është lënë në baltë e ujëra të zeza.
Pjesë nga deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Durrësi po përballet me një tjetër skandal që ka të bëjë me arsimin dhe trashëgiminë e përbashkët, jo vetëm të qytetit, por të kombit.
Bëhet fjalë për fatin e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti” dhe një sit arkeologjik të cmuar të trashëgimisë kombëtare. Ky nuk është thjesht problemi i një godine shkolle – ky është një tregues i qartë i mashtrimit qeveritar, i paaftësisë vendore dhe i papërgjegjshmërisë.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, shkolla u shpall e papërdorshme. Nxënësit u shpërndanë në godina të tjera, me premtimin se shumë shpejt do të kishin një shkollë të re. Në mars 2022, godina u shemb. Edi Rama, Ministria e Arsimit dhe Emiriana Sako dolën me projekte 3D, duke shitur mashtrime.
Në vendin ku do të ndërtohej shkolla u zbuluan pasuri arkeologjike të jashtëzakonshme: mozaikë, terma dhe një vilë romake.
Në prill 2024 mozaikët antikë e përmbytën nga ujërat e zeza. Sot, në shtator 2025, ato janë të mbuluara me baltë në një kantier të braktisur. Nxënësit e kësaj shkolle u bënë ‘maturantë shëtitës’, ata që do fillojnë sivjet do të bëjnë të njëjtën gjë.
Në Durrës, kriteri i qeverisë dhe bashkisë socialiste për arkeologjinë është të hidhet beton mbi të. Këtë radhë, është gjetur një metodë tjetër: ujra të zeza dhe baltë. Para kësaj gjendjeje edhe Bashkimi Europian është tërhequr nga projekti, për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës nga qeveria dhe bashkia. Ky është një turpërim dhe një humbje e madhe për qytetin.
Pasojat për fëmijët janë këtu prej 6 vitesh: nxënësit e gjimnazit më të madh të qytetit janë hallakatur nëpër godina të tjera. Mësimi bëhet me dy turne, gjë që ka ulur ndjeshëm cilësinë e arsimit. Numri i nxënësve ka rënë, sepse prindërit janë të lodhur nga mungesa e kushteve dhe kanë zgjedhur të largojnë fëmijët drejt shkollave të tjera. Ndërkohë, Durrësi i Vjetër, një nga zonat më të populluara të qytetit, nuk ka asnjë institucion arsimor për fëmijët që jetojnë aty.
Edi Rama dhe Ermiona e tij mashtrojnë shqiptarët me projekte 3D. Realiteti është gërmadha dhe kantierë të braktisur. Trashëgimia është mbuluar nga balta.
Partia Demokratike kërkon: Të bëhet publik vendimi i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për fatin e sitit arkeologjik. Të vendoset një afat i qartë për nisjen e punimeve. Të ngarkohen me përgjegjësi Ministria e Arsimit dhe kryebashkiakja e Durrësit për mashtrimin, dështimin e projektit, dhe shkatërrimin e trashëgimisë.
Të nderuar qytetarë,
Kjo nuk është vetëm një çështje shkolle. Kjo është çështje e së ardhmes së fëmijëve durrsakë, e dinjitetit të qytetit tonë dhe e kujtesës sonë kombëtare.
Faleminderit.