Nga Vlash Prendi
Stina e verës është periudha më e gjallë, më e bukur dhe më active në vendin tone, sepse kthehen emigrantët nga vendet e huaja në atdheun amë, pranë trojeve të veta, pranë njerëzve të familjes dhe të afërmve të tyre. Malli dhe dhimbja për atdheun, për vendlindjen, për të afërmit, duket se ka lënë ende gjurmë në ndjenjat, zemrën dhe kujtesën e tyre. Kështu, shumica prej tyre, përveçse vijnë të takojnë njerzit e tyre të afërt, i shfrytëzojnë këto udhëtime edhe për të njohur fëmijët me vendin e tyre, për të zgjuar sadopak dashurinë për vendin e origjinës, për të njohur bukuritë e pafundme të atdheut, njerzit e dashur dhe bujarë, traditat e trasheguara ndër shekuj, pse jo edhe të kaluarën e vështirë të popullit tonë.
Kështu më ndodhi këto ditë, pasi një miku im, Besnik Elezi nga Sanxhaku, emigrant disa vjeçarë në Mbretërinë e Bashkuar, më ftoi të shkonim familjarisht të vizitonim qytetin e bukur të Pogradecit. Kam qenë në ato anë rreth vitit 1977, por më vonë nuk më është krijuar mundësia. Në këtë qytet të bukur, nuk duhet ardhur vetëm si vizitor, por edhe si vezhgues, si vlersues për gjithçka të bukur që shihet e shijohet në atë vend të mrekullueshëm. Nisemi plot gëzim dhe entuziazëm drejt Tiranës, por ky entuziazëm disi u fashit kur kaluam Urën e Zogut, të cilën Marinela e mbante mend funksionale, ndërsa tani po e shihte të bllokuar dhe jashtë funksionit. Pas një breshërie pyetjesh, u shpjegoj se është një nga urat më strukture të vaçantë në Ballkan, e ndërtuar në vitin 1927, projektuar nga inxhinieri i njohur gjerman Emil Mersh, aso kohe në Universitetin e Stuttgartit, dhe zbatuar nga inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri, i cili sapo ishte kthyer në atdhe pasi kishte përfunduar studimet për inxhinieri në Universitetin Teknik të Vjenës. Ka qënë një objekt me vlera të veçanta, por që tani siç shihet është jashtë perdorimit dhe është lënë në mëshirë të fatit. E lemë urën në qetësinë dhe hallet e saj dhe vazhdojmë udhëtimin tone drejt kryeqytetit. Të merzit trafiku i dendur në këto ditë vere, makina me targa të ndryshme pothuajse nga të gjitha vendet e Europës e më gjërë, na parakalojnë papushim. Shumë prej tyre edhe me shpejtësi tej limiteve të caktuara. – Prandaj ka aksidente çdo ditë, – i them Besës, i cili ishte i përqendruar në timon me një disipline të admirueshme.
Kalojmë në tunelin e Krrabës që lidh Tiranën me Elbasanin me gjatësi 2375 metra. – Tani Elbasanin e kemi vetëm dhjetë kilometra, – i them Besnikut. Ky tunel e ka shkurtuar shumë rrugën, sepse më ka rënë rasti të kaloj me makinë edhe nga Qafë – Krraba. Ishte një torturë e vërtetë, rrugë të ngushta, kthesa të shumta, ka pasur edhe shumë aksidente. Tani Elbasani arrihet për rreth 30 minuta. Në bisedë e sipër, kemi kaluar Bradasheshin dhe nga larg duken skeletet metalike të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, e vetmja vepër përfaqësuese e industrisë së rendë në vendin tonë, në vitet e sundimit komunist. E kuptoj kuriozitetin e bashkëudhëtarëve të mi, prandaj i sqaroj se këtu shtrihej Kombinati Metalurgjik që mbahej si vepra më e rendësishme e kohës, por që rezultoi një dështim i industriesë sonë, jo vetëm në fushën e industrisë por edhe të prodhimit. Ishte një nga objektet kryesore të ndotjes së mjedisit, por pas viteve ’90 shkoi drej falimentimit dhe çdo gjë u shkatërrua.Unë tregoja, ndërsa Kevini dhe Danieli, të lindur dhe rritur në Londër, vështronin me habi këto varreza të industrisë sonë, që lanë plagë të pa riparueshme në ekonominë tonë.
Vazhdojmë udhëtimin tonë drejt bulevardit kryesor të qytetit. Kam kujtime të pashlyera nga ky qytet i bukur. Ja Teatri “Skampa”, në skenën e të cilit kam luajtur disa role kryesore bashkë me trupën teatrore të Shkollës së Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, nën regjinë e të mirënjohurve Tomorr Shishmani, Veronika Papa, Dhimosten Papa, nën kujdesin e “Artistit të Merituar” Astrit Çerma. Duke lënë menjëanë modestinë, më duhet të kujtoj dy role për të cilat jam shpallur aktori më i mire në olimpiadat teatrale të shkollave të mesme të rrethit të Elbasanit. Rolin e Gjelosh Nikës tek drama “Fisheku në pajë” e Fadil Krajës dhe rolin e Shtjefën Gjergjit tek drama “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës. Këto copëza kujtimesh ia tregoj Anës, e cila jo rrallë është subject i aktiviteteve teatrale që zhvillohen në shkollën e saj në Londër, si prezantuese dhe aktore. Nuk di pse dyert e tij ishin të mbyllura në atë moment, sepse nuk ndodhte një gjë e tillë kur isha nxënës normalist. – Ja atje në atë rrugicë ishte libraria e qytetit, ku blija vazhdimisht libra për pasurimin e bibliotekës personale, – i them Dorinës e cila e njeh mire gjendjen e bibliotekës sime. Qyteti ka ndryshuar shumë, aq sa turizmi i vjetër, që mbahej si ndërtesa më e bukur e kohës, mezi shquhet. Ajo që nuk ka ndrushuar është vetëm Porta e Kalasë, afër së cilës ka qënë një kafene e vogël, ku rastësisht në vitin1976 pata takuar shkrimtarin e njohur Dhimitër Xhuvani, i cili më jepte leksione për teknikat e të shkruarit, sa here e takoja. Më tej ishte redaksia e gazetës “Shkumbini”, nëpër faqet e së cilës u formova si gazetar. Mbaj mend se artikujt i shkruaja me dorë dhe ja jepja Kryeredaktorit Mefail Pupuleku, një burrë tepër i komunikueshëm, i dashur dhe korrekt. Takoja shpesh edhe shkrimtarin dhe studiuesin e njohur Astrit Bishqemi, i cili më ndihmonte dhe këshillonte here pas here, ndërsa redaktorja Suzana Zyrakja shpesh më ngarkonte me sherbime nga redaksia. Kujtime të bukura, për kohë të perenduara. Ç’të bësh? Kjo është jeta!
– Ja tek është edhe Normalja, fidanishtja e arsimit tonë kombëtarë, që përgatiti mësuesit e parë për Kosovë e Shqipëri, – i them Marisë. Në bankat e saj qëndrova katër vjet. Kanë qënë katër vjetët më të bukura të jetës sime, qe nuk mund të harrohen kurrë. Shkolla është e mbyllur dhe as pedagogjike nuk ka, por unë kam mundësi të riprodhoj në kujtesë ngjarjet, lëvizjet, mësuesit, shokët dhe shoqet që mbeten përgjithmonë në kujtesën time. Më duket sikur shoh drejtorin Grigor Kalljxhiu, mësuesen time kujdestare Bleta Dervina, mësuese Vildën, Shyqyri Latifin, Xhevat Domin, Xhemal Luftën, Boro Shoshkiç, Lida Xhomon, Laura Shuteriqin, Met Arapin e mjaft të tjerë. Kujtoj me nostalgji shetitjet në buzëmbrëmje me shokët e shoqet në rrugicat rreth shkollës, sepse daljet në qytet ishin të kufizuara, koncertet dhe shfaqjet teatrale që jepnim tek salla e kulturës në kat të tretë, atje ku shpesh shkonim bashkë me mjeshtrin Llesh Lleshi, i cili më kënaqte me tingujt e çiftelisë, fisarmonikës, mandolinës etj. – Ja ku ka qenë klasa ime, në kat të tretë, – i them Elës, që e kundron me kuriozitet ndërtesën e moçme. Atje ishim rreth 42 nxënës, shkonim si një familje dhe e donim dhe ndihmonim njëri – tjetrin. Tani kjo ndërtesë simbol i arsimit tonë kombëtar, i ngjan një rrënoje pa vlerë edhe nësë kryen ndonjë funksion edukimi në ditët e sotme. Largohem i mallëngjyer nga porta e kësaj shkolle në të cilën kam hyrë e dale me mijera herë, dikur me emër të njohur, ndërsa sot e harruar…
Përmes parkut të dikurshëm “Rinia”, që tani nuk ekziston më, sepse është lulëzuar me ndërtesa dhe shtëpi shumëkatëshe, drejtohemi drejt qytezës së Labinot – Fushës, në shkollën e të cilit para 48 vjetësh pata bërë pedagogjinë praktike tek mësuesja e mirënjohur Kosova Bishqemi. – I kam shetitur këto vende të bukura bashkë me nxënësit e mi të athershëm, – i them Danielit. Ndjehem krenar se kam qënë nxënës i kësaj shkollë, për të cilën ka nevojë edhe sot arsimi ynë. Në rrugëtimin tonë, na shoqëron kudo lumi Shkumbin. Rruga është ndërtuar kudo brigjeve të tij, prandaj edhe pamjet janë magjpsëse. Besniku, shpesh herë i krahason me pamjet fantastike të maleve të Zvicrës, ose bjeshkëve të Austrisë, përmes të cilave ka udhëtuar për të ardhur në vendlindje. Pasi kalojmë fshatin Qukës, dallojmë kantjere të shumta, fadroma dhe makineri të renda që po punonin për ndërtimin e autostradës Qukës – Qafë Plloçë, si pjesë e Via Egnatia.
Jemi në krahinën e Mokrës, ngjitemi në malin që ndan Prrenjësin me Linin dhe para nesh shfaqet madhështor Liqeni i bukur i Pogradecit, për të cilin janë thurur legjenda dhe janë shkruar shumë poezi. Ndersa po ngjitemi maleve të Mokrës, re të zeza tymi duken nga larg. – Diku po digjet pylli, – më thotë Besniku. – Po, – i them, – sivjet ka patur dëme të konsiderueshme nga zjarret. Janë djegur qindra hektarë pyje dhe kullota, shum prej tyre për mungesë rruge, sepse nuk ka rrugë as në pyje dhe as në fshatrat malore për ndërhyrje emergjente. Zbresim poshtë drejt bregut të tij, ku shquajm qartë fshatin Lin, një nga fshatrat më të njohur tashmë jo vetëm në shqipëri, por edhe në mbarë Europën për shkak të zbulimeve arkeologjike që tregojnë se ky fshat është banuar qe në lashtësi, duke vertetuar se është nga më të lashtit në Europë. Madje egziston një gojëdhënë që thotë se: Justiniani, perandori me origjinë ilire, ka fshehur në brigjet e liqenit të
Ohrit në afërsi të Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë bizantine. Kjo gojëdhënë ka rreth katërmbëdhjetë shekuj, që ka aedhur deri në ditët e sotme, por deri tani asgjë nuk është zbuluar. Dikur i pagëzuar me emrin e lashtë Lyhnidas – Liqeni i dritës, brigjeve të cilit pati banuar fisi ilir i enkelejdëve, mendohet se është formuar para 6000 vjetësh si rezultat i lëvizjeve tektonike. Liqeni ka një sipërfaqe prej 349 km2 dhe thellësi maksimale 289 m, nga i cili rrjedh Drini i Zi. Në këtë liqen na thanë se rriten rreth 40 specie, kryesisht peshq si korani, belushka, trofta etj. Qyteti shtrihet qetësisht në breg të liqenit, plot gjallëri, ku mund të shohësh njerëz të kombeve të ndryshme, disa bëjnë plazh, të tjerë shetisin në bulevardin buzë liqenit, shumica kanë zënë vend në bare e restorante dhe sodisin bukuritë e qytetit të lashtë.
Jemi në parkun e qytetit, pikërisht aty ku qendrojnë ballë për ballë dy figura të shquara të letërsisë dhe kulturës sonë, Llazar Gusho dhe Dhimitër Pasko. Dy kolosët e letërsisë shqipe qëndrojnë krenarë dhe presin e përcjellin vizitorët e shumtë që i vështrojnë plot admirim dhe mirënjohje. Të realizuara nga “Skulptori i Popullit” Muntaz Dhrami dhe derdhur në bronx nga mjeshtri Ramazan Karaj, shkëlqejnë me dritë të pashuar në qytetin ku lindën, u rritën dhe i dhanë lavdinë e merituar. Lulishtja para tyre është konceptuar në formë rrethore, dekoruar me stola prej betoni, në të cilët janë shkruar citate nga veprat e njohura të dy shkrimtarëve të mëdhenj. Si në endërr më vijnë vargjet e bukura të vjershës “Poradeci”, recituar dikur në bangat e shkollës pedagogjike me kembënguljen e mësuesit tim të gjuhës Gjergj Junçaj: Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufirë, / Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije, / Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije, / Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…, / E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlimë, / Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë, / Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë…e këto vargje gjenden të shkruara bukur edhe në njerin prej stolave aty në lulishten e qytetit ku ka lindur poeti, vargje të cilat Kevini përpiqet t’i lexojë me zë të lartë. Ndjejnë kenaqësi edhe sy studentet që na shoqërojnë në rrugëtimin tonë, njëra Ana Elezi, lindur, rritur dhe shkolluar në Londër, e cila këtë vit shkollorë do të vazhdojë studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dega pediatri në Universitetin e Yorkut, ndërsa tjetra vjen nga Lisbona e Portugalisë, quhet Rafaela De Alvarenga, që këtë vit shkollor do të vazhdojë studimet në Fakultetin e Edukimit, dega psikologji, po në universitetin e Yorkut. Ana e flet mire gjuhën shqipe, megjithse pak ka qendruar në vendin tonë, poi a kanë mësuar prindërit, të cilët kurdoherë me fëmijët e tyre komunikojnë vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa Rafaela që ka mësuar disa fjalë shqip, mahnitet me bukuritë e qyteteve, fshatrave dhe maleve tona, prandaj premton të vijë perseri për pushime në Shqipëri.
Ȅshtë e pamundur të vijsh në qytetin e Pogradecit dhe të mos vizitosh fshatin e bukur Tushemisht, atje ku vite më parë u xhirua filmi “Zonja nga qyteti”, kjo me kembënguljen e Dorinës, e cila donte të takonte teta Ollgën. Jemi pikërisht para gurrës ku teta Ollga takohet me Bujarin dhe Tirkën. Aty është ngritur edhe monumenti i saj, punuar me mjeshtëri nga skulptorët e njohur Vasillaq Kolevica dhe Sadik Spahia. Njerëz të shumtë e rrethojnë përmendoren, dhe bëjnë foto pranë bustit të saj. Pastaj bisedat nuk kanë të mbaruar. Kujtime, analize ngjarjesh nga fragmente të filmit, diskutime rreth sekuencave të filmit dhe buzëqeshje… Pastaj tek kanali i famshëm ku teta Ollga hedh postierin Malo, interpretuar me mjedhtëri nga aktori Hasan Fico. Kjo vizitë e kendëshme ishte si homazh edhe për ata aktorë të këtij filmi që nuk jetojnë më.