Policia greke ka arritur të zbardhë ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur më 18 gusht në lagjen “Agio Panteleimona” të Athinës, ku u vra 47-vjeçari shqiptar, Artur Bashimi, me origjinë nga Gjirokastra. Në pranga ka përfunduar një shtetas grek 27-vjeçar, përdorues droge, i cili ka pranuar autorësinë e krimit.
Gjatë dëshmisë së tij para hetuesve, ai deklaroi se vrasjen e kishte kryer kundrejt një shpërblimi prej 15 mijë euro, por shtoi se nuk njihte porositësin dhe as arsyen e vrasjes, duke theksuar se urdhri kishte ardhur nga brenda burgut.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 gushtit në rrugën “Mihail Boda 200” në Athinë. Autori, i maskuar me rroba të errëta, kaskë, xhup për motorçikletë dhe doreza, i është afruar viktimës dhe e ka qëlluar një herë në gjoks me armë zjarri. Pas të shtënës së parë, ka tentuar të qëllojë sërish, por arma është bllokuar. Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar një gëzhojë të përdorur dhe një fishek të paplasur.
Artur Bashimi kishte precedentë penalë në Greqi. Në shkurt 2022, ai ishte arrestuar si pjesë e një grupi kriminal të specializuar në vjedhje në mjetet e transportit publik, ndërsa në prill 2024, ai u arrestua sërish, këtë herë si anëtar i një tjetër grupi kriminal me aktivitet në vjedhje në shtetin grek.
Bashimi rezulton të jetë vëllai i Marsel Bashimit, i njohur edhe me si Marsel Shkurtaj ose Marsel Gozhita, një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke, me precedentë të rëndë penalë.
Marsel Bashimi u arrestua në korrik 2022, së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, si autorë të një përplasjeje me armë në Greqi. Jambelli dhe Leci janë të dy në kërkim edhe në Shqipëri, ku akuzohen për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Burime të reja bëjnë me dije se, përveç autorit të dyshuar, policia greke ka arrestuar edhe një bashkëpunëtor të tij, gjithashtu një 27-vjeçar grek. Të dy të ndaluarit rezultojnë me precedentë penalë për vjedhje kuletash në Greqi dhe janë hetuar më parë për përfshirje në vepra të tjera penale.
Hetimet vijojnë për të zbuluar urdhëruesin e vrasjes dhe lidhjet e mundshme të këtij krimi me rrjete të krimit të organizuar brenda dhe jashtë Greqisë.