Ballina Politika Kolegji rrëzon padinë e PD-së, Franc Nuri kritikon ekzistencën e institucionit: Një...

Kolegji rrëzon padinë e PD-së, Franc Nuri kritikon ekzistencën e institucionit: Një farsë nga fillimi deri në fund

15
0

Menjëherë pas vendimit përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjet e 11 majit, përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, reagoi për mediat.

Nuri u shpreh kritik ndaj vendimit, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e Kolegjit Zgjedhor.Ai tha se, sipas tij, nëse do të diskutohet për një reformë zgjedhore në të ardhmen, ky institucion nuk duhet të ekzistojë fare, pasi është i padobishëm.

“Ju e patë që nga gjithë debatet u duk mjaft qartë që vendimi i KQZ-së – vendimi i rregullatorit për renditjen e deputetëve – kishte problem, dhe vendimmarrja e Kolegjit ishte e shtrembëruar. Vendimi u mor me shumicë votash, por ka pasur gjyqtarë që kanë dalë kundër dhe kanë qenë në favor të kërkesës së PD-së. Megjithatë, me shumicë, Kolegji e ka rrëzuar, dhe ky vendim është i formës së prerë. Tashmë nuk ka mundësi të tjera teorikisht për t’u ankimuar ky rezultat. Megjithatë, ne i qëndrojmë bindjes se këto zgjedhje kanë qenë një farsë nga fillimi deri në fund. Kolegji Zgjedhor nuk arriti të ngrihej në lartësinë e detyrës që i imponon Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta. Sot kishte shansin historik që të tregonte se ndiqte një standard ligjor por as këtë nuk e bëri dot. Shohim përdorim të ndryshëm të standardeve, çfarë minon besimin e publikut. Dyshoj fort në dobishmërinë e Kolegjit Zgjedhor. PD duhet ta shohë në të ardhmen ekzistencën e këtij institucioni, nëse do të ketë reformë zgjedhore”, — u shpreh Franc Nuri, përfaqësues i PD-së.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste deklaroi:

“Sot u zhvillua gjyqi i iniciuar nga PD, e cila ankimonte rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Në seancë u paraqitën prova nga palët, por edhe prova të kërkuara nga gjykata, të cilat u dorëzuan nga KQZ. Gjykata kreu një hetim të thelluar të gjithë procesit zgjedhor të 11 majit dhe verifikoi të gjitha rezultatet e shpallura më parë. Siç ishit të pranishëm, u rrëzua padia. Kjo do të thotë se ky është vendimi përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit. Pas këtij vendimi, nuk mbetet gjë tjetër përveçse mbledhja e parlamentit të ri.”