Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin ‘Shqipëria Turistike 2030’, ka theksuar shifrat në rritje të vizitorëve në vendin tonë, ndërsa shtoi se prioritet tashmë nuk mbetet më rritja e numrit të turistëve, por cilësisë.
Ai ka shtuar se duhen “shëruar” plazhet nga pronarë privatë të cilët sillen keq me turistët dhe rrisin çmimet në mënyrë të pajustifikuar duke prishur kështu imazhin e Shqipërisë turistike.
“Kemi pasur rritje të mëdha në turistë nga Franca, Gjermania, rritje e konsiderueshme nga Kina India, Brazili, Australia, apo Turqia dhe Izraeli. Në tërësi destinacioni po sjell rritje. Kjo e thënë thjeshtë e vetëm për të dhënë një informacion të saktë sepse ne nuk kemi më një prioritet rritjen në numër, por rritja e cilësisë dhe turistëve që konsumojnë më shumë këtu në vendin tonë.
Francezët kanë një perceptim për Shqipërinë që nuk mund të imagjinohej me parë ku vendi ynë dhe shqiptarët shiheshin si një dele e zezë që sjell dele të zeza.
Kemi në turizëm sot standarde të reja krahasimisht me nga ku jemi nisur, gjithsesi.
Megjithatë kemi probleme që nuk presin më për t’u adresuar, raste si plazhi i dhunuar i Ksamilit dhe një sërë plazhesh të tjera.
Marr Ksamilin që është një nga plazhet më të bukura të botës e nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë për t’u pushtuar, e për të trajtuar më pas turistët si skllevër që mund të janë edhe shkopin e çadrës kokës, apo të vendosin çmime të paimagjinueshme që vetëm dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar. Duhet të shërojmë plazhet e dhunuara. T’ua heqim nga duart privatëve, nuk ka mundësi Ksamili të jetë plazh privat”, tha ai.