Fituesja e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër të Kosovës në fundjavë, saktësisht një javë pasi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e organit ligjvënës.
Partitë ish-opozitare nuk pajtohen se Kuvendi është konstituuar, pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari i pestë dhe i fundit i Kuvendit nga komuniteti joshumicë serb.
Këtë e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se mbledhja do të mbahet të dielën e 7 shtatorit.
Në këtë votim brenda partisë pritet që kreu i saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të rikonfirmohet si mandatar për kryeministër, emrin e të cilit LVV-ja do ta dërgojë më pas te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të provuar formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, situata në Kuvendin e Kosovës mbetet ende e bllokuar dhe nuk është e qartë nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër në këtë gjendje.
Kryesia e re e Kuvendit dështoi ta mbajë mbledhjen e parë, më 1 shtator, në mungesë të kuorumit.
Basha tha për media të hënën se do t’i ftojë në një takim konsultativ nënkryetarët, por për këtë ende nuk është vendosur asgjë.
Nga Kuvendi nuk kthyen përgjigje nëse pritet të caktohet ndonjë takim i tillë dhe si do të jetë formati i tij.
Sa i përket konstituimit të Kuvendit, që nisi më 15 prill, dhe u shpall i mbyllur pas më shumë se pesë muajsh, Presidenca e Kosovës tha në fillim të javës se ekipi ligjor po e analizon këtë proces.
Por, Presidenca nuk iu përgjigj të enjten Radios Evropa e Lirë nëse janë nxjerrë përfundimet mbi procesin dhe nëse e vlerëson të konstituuar Kuvendin.
Për këtë çështje, presidentja Osmani i priti në takime ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe atë të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Osmani tha se, në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit, do të veprojë “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.
“Në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me këtë rast, presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, u tha në njoftimin pas takimit me ambasadorin britanik.
Ambasadori gjerman Rohde tha pas takimit me Osmanin se ai ka shprehur shqetësimin për bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale, “si dhe për diskursin e fundit publik që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, pasi zhvillime të tilla rrezikojnë ta rrënojnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”.
Ambasadori britanik Hargreaves tha se me Osmanin ka diskutuar, ndër të tjera, “nevojën urgjente për hapat e radhës në formimin e Kuvendit, në përputhje me kushtetutën e Kosovës”.
I gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit është përcjellë me kritika për shkelje ligjore dhe aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese.
Një vlerësim i kushtetutshmërisë nga kjo gjykatë pritet edhe për rastin e fundit të dërguar nga Lista Serbe, e cila e konsideroi shkelje kushtetuese votimin ndaras të dy nënkryetarëve nga komuniteti joshumicë.
Me këtë rast, Emilija Rexhepi arriti votat e nevojshme për t’u bërë nënkryetare nga radhët e komuniteteve pakicë joserbe, por jo edhe kandidati Sllavko Simiq, nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës.
Kuvendi mbeti pa e zgjedhur nënkryetarin serb pasi asnjë nga deputetët serbë nuk arritën të zgjidhen as në votimin me short.
Kryetari Basha tha të hënën se, pasi u shterua pika e katërt e rendit të ditës – zgjedhja e nënkryetarëve – ka qenë më e rëndësishme që shteti të mos bllokohej për këtë çështje.