Ballina Kulturë Nga data 8 deri më 11 shtator, Shqipëria mirëpret Javën Kulturore Malazeze!...

Nga data 8 deri më 11 shtator, Shqipëria mirëpret Javën Kulturore Malazeze! Nga shfaqjet muzikore te ekspozitat, falas për publikun

14
0

Nga data 8 deri më 11 shtator, Java Kulturore Malazeze vjen në Tiranë, duke sjellë kështu një mozaik të pasur arti, muzike, historie dhe kujtese kulturore. Kjo javë, e cila shënon rifillimin e sezonit të dytë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2025, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, premton për të gjithë artëdashësit aktivitete kulturore emocionuese, kujtime dhe reflektime mbi të kaluarën e përbashkët.

Aktivitetet nisin më 8 shtator, me një koncert solo nga pianisti Karlo Gjurgjević që do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Pianisti Gjurgjević do të ofrojë një udhëtim të pasur në botën e muzikës klasike ku do të performojë kryevepra klasike nga Beethoven, Bach, Liszt dhe Chopin. Në fund, ai do të interpretojë një improvizim mbi tema muzikore tradicionale malazeze.

Kurse në datat 9 dhe 10 shtator, në Bibliotekën Kombëtare, Qendra “Sotir Kolea” – Tiranë do të jetë e hapur një ekspozitë dokumentesh me temë “Përfaqësitë Konsullore të Malit të Zi 1880-1914” nga Arkivi Shtetëror i Malit të Zi. Ekspozita paraqet një pjesë të dokumenteve nga fondet e Arkivit Kombëtar të Malit të Zi që lidhen me veprimtarinë diplomatike të Principatës së Malit të Zi në periudhën pas Kongresit të Berlinit 1878 dhe deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Synimi është që përmes kësaj ekspozite të nxirret në pah vlera e dokumenteve të ruajtura dhe që lidhen me konsujt e nderit.