Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Presidenti i SHBA, Donald Trump, vuan nga një gjendje kronike shëndetësore që shkakton ënjtje në kyçet e këmbëve.
Lajmi u bë publik nga Sekretarja për Shtyp, Karoline Leavitt, gjatë një deklarate për mediat.
Sipas saj, presidenti u ekzaminua nga mjekët e njësisë mjekësore të Shtëpisë së Bardhë pasi u vu re ënjtje në pjesën e poshtme të këmbëve, duke rezultuar me diagnozën “mungesë kronike venoze”.
Shqetësimet nisën ditët e fundit, pasi Trump u shfaq me zona të mbuluara me makeup në duar, që sipas gazetarëve dukeshin si mavijosje ose fryrje të lëkurës. Pamjet ndezën diskutime dhe dyshime mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Administrata ka theksuar se presidenti është nën kujdes mjekësor dhe gjendja e tij nuk paraqet rrezik serioz.