Ballina Aktualitet Stojani kritika sërish ndaj kryetares së KLP: Keni probleme me të kuptuarin....

Stojani kritika sërish ndaj kryetares së KLP: Keni probleme me të kuptuarin. Drejtësia kërkon fakte, jo parrulla si në komunizëm

26
0

Debati i ashpër i së hënës në KLP mes anëtarit Sokol Stojani dhe kryetares Mirela Bogdani vijoi me të njëjtat tone edhe në seancën e së enjtes. “Optika ime ishte nëse ne do të bëjmë ekskursione, apo do të bëjmë punë. Ekskursione quhen 15 copë dhe nja 3-4 vizita studimore nga 4-5 ditë, ta pret mendja”, tha Stojani. “Nuk quhen ekskursione ato”, ia ktheu Bogdani. Sipas saj, ato janë propozime që mund të mos miratohen asnjëherë.

Me termin “ekskursione”, Stojani i referohej 15 retreat-eve të propozuara nga KLP në projekt-buxhet, për të cilat në seancën e kaluar tha se Këshilli po kthehej në një “KLP Travel”. Në po atë mbledhje, Stojani akuzoi kryetaren Bogdani për ushtrim të ndikimit tek administrata për veprime në kundërshtim me ligjin. Por, sipas tij, pala tjetër ishte shqetësuar vetëm për publikimin në media të debatit.

“Po ju shqetësoheni më shumë përse e mori media një informacion. Se pse mbledhja u regjistrua e plotë dhe u pasqyrua e plotë”, u shpreh Stojani.

“Jo, – replikoi Bogdani, – nuk jam shqetësuar, ishte informale”.

“Është si gjykata. Nuk ishte informale, zonja kryetare. Këtë dua të them, sepse u bë me votat tona. Moj kryetare, unë nuk flas më me ty, se ti ke probleme në të kuptuar. Unë e kam me këtë. Fakti, fakti! A do të them një gjë. Ju nuk reflektuat”, nënvizoi Stojani.

Me tension u përcoll edhe diskutimi mbi vetingun e një prokurori, proces që me mbylljen e KPK vijohet nga KLP, tensione që çuan në ndërprerjen disa minutëshe të seancës.

E gjitha ndodhi pasi anëtarja Ledina Riza u ndje e fyer nga një replikë e anëtarit Stojani, teksa kërkoi vlerësimin e Këshillit nëse kishte apo jo pengesë ligjore për të qenë pjesë e komisionit të rivlerësimit të prokurorit Anton Pali. “Referancat që ju sillni për të gëlltitur dhe ju për ta përtypur mua nuk më duket korrekte”, tha anëtari Stojani.

Nga ana e saj, kolegia e tij në Këshill, Riza, deklaroi se “asnjë anëtar nuk fyhet gjatë fjalës kur flet në bazë të ligjit dhe rregullores”.

Në këtë moment kryetarja e KLP kërkoi vijimin e agjendës së ditës, por në kushtet kur anëtari Stojani nuk e ndali fjalën, vendosi për 5 minuta pushim.

“Në thelb është prokurore dhe kur akuzon një prokuror duhet të përdorë një fakt të caktuar. Ju mund ta braktisni, por mua nuk ma mohoni dot fjalën, zonja kryetare”, kundërshtoi Stojani.

Gjatë kohës së ndërprerjes së seancës, anëtari Stojani i tha kryetares Bogdani se deshi të sqaronte se cili ishte fakti.

“Kur flitet për fyerje e shpifje duhet thënë kush është fakti. Ne nuk flasim me parrulla si në kohën e komunizmit. Vetëm në komunizëm ecet me parrulla”, vijoi me ton Stojani, ndërsa kryetarja kërkonte vëmendje edhe për dëgjimin e fjalës së saj.

Pas debateve të forta, në praninë edhe të një prej përfaqësuesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Këshilli zgjodhi me short tre anëtarë që do të bëjnë rivlerësimin kalimtar të prokurorit Anton Pali.