Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter goditi sot Afganistanin juglindor, sipas Qendrës Gjeologjike Gjermane të Kërkimeve. Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, raporton Reuters.
Afganistani është goditur nga disa tërmete me magnitudë të ngjashme në ditët e fundit, duke vrarë të paktën 2,200 persona dhe duke plagosur të paktën 3,640 të tjerë.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë, pasi njerëzit mbeten të bllokuar nën rrënoja, ndërsa koha për të mbijetuarit po mbaron.
Toka e Afganistanit është e prirur ndaj tërmeteve vdekjeprurëse, veçanërisht në vargmalin Hindu Kush, ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.