Ballina Politika Bomba’ e ‘New York Times’: McGonigal përdori Dorian Duçkën për të kompromentuar...

Bomba’ e ‘New York Times’: McGonigal përdori Dorian Duçkën për të kompromentuar një hetim për Kinën

32
0

Nga Devlin Barrett, NEW YORK TIMES

Një zyrtar i lartë i FBI-së dikur u dha sinjal drejtuesve kinezë për arrestime të pritshme, duke kompromentuar një hetim të madh penal, sipas një raporti të mbikëqyrjes që shtoi detaje të reja dëmtuese për shkallën e sjelljes së tij të pahijshme në byro, teksa ai mbikëqyrte punën e kundërzbulimit në Nju Jork.

Në të paktën një rast, një i dyshuar i shënjestruar me gjasë injoroi paralajmërimin nga agjenti, Charles McGonigal, sepse një anëtar i familjes Biden hodhi dyshime mbi vërtetësinë e tij, sipas raportit të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë.

Z. McGonigal, i cili u largua nga byroja në vitin 2018, pranoi fajësinë në vitin 2023 për punë të fshehtë për një oligark rus dhe për krime të tjera, dhe tani po vuan një dënim me burg prej gjashtë vjetësh e gjysmë.

Raporti, i publikuar të enjten, risjell një nga skandalet më serioze të kohëve të fundit për FBI-në. Zbulimet vetëm sa e thellojnë intrigën që ka rrethuar një person, i cili dikur ishte një nga kapësit më të mëdhenj të spiunëve amerikanë.

Duke përshkruar punën e z. McGonigal në mbikëqyrjen e një hetimi mbi një biznes kinez, raporti e quajti sjelljen e tij “të jashtëzakonshme” dhe zbuloi se ajo pothuajse çoi në akuza shtesë kundër tij, për pengim të drejtësisë.

“Përmes skemës së tij, McGonigal dëmtoi me qëllim një çështje të rëndësishme penale, shkeli besimin publik dhe komprometoi integritetin e FBI-së,” përfundoi raporti.

Një avokat i z. McGonigal nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Raporti tregoi se si vetë z. McGonigal pranoi disa nga veprimet e përmendura gjatë një interviste vullnetare me hetuesit, në atë që njihet si një “seancë ofruese”. Në atë seancë, ai pretendoi se “mburrja” e kishte shtyrë të zbulonte informacion mbi hetimin. “Megjithatë, ai tha se nuk duhej të kishte shkuar aq larg sa shkoi,” thuhet në raport.

Detajet e reja datojnë në një hetim të vitit 2017 nga FBI. mbi një institut të financuar nga Kina të quajtur Komiteti i Fondit të Energjisë së Kinës (China Energy Fund Committee), dhe disa kompani të lidhura.

Përmes një sërë bisedash personale me dikë nga ky Komitet, z. McGonigal i dha sinjal një punonjësi të firmës, i përshkruar në dokumente vetëm si “Personi B,” se FBI planifikonte të arrestonte një nga drejtuesit e institutit, Patrick Ho, tha raporti.

Raporti shtoi se z. McGonigal “pengoi një hetim penal, të cilin ai po e mbikëqyrte, duke zbuluar informacione të ndjeshme dhe jo publike të çështjes mbi subjektet dhe objektivat e hetimit tek një shtetas i huaj,” duke theksuar se ai gjithashtu mbajti të fshehta “informacione të rëndësishme për çështjen nga agjentët hetues të FBI-së në Nju Jork.”

“The New York Times” më herët ka identifikuar “Personin B” si Dorian Duçka, një ish-zyrtar i qeverisë shqiptare, i cili ndihmoi në realizimin e disa prezantimeve biznesi për z. McGonigal.

Gjatë një darke me z. Duçka në qershor të vitit 2017, z. McGonigal i tha atij se agjentët e tij po hetonin Komitetin e Fondit të Energjisë së Kinës. Të nesërmen, z. Duçka u takua me z. Ho në Uashington dhe ia përcolli këtë sinjal.

Më vonë po atë vit, kur z. Duçka po mendonte nëse do të vinte në Shtetet e Bashkuara për një ngjarje të lidhur me Komitetin e Fondit të Energjisë së Kinës, z. McGonigal e këshilloi të qëndronte në Shqipëri. Sipas raportit të inspektorit të përgjithshëm, z. Duçka e interpretoi këtë si shenjë se FBI-ja po përgatitej të kryente arrestime.

Drejtuesit kinezë dukeshin të pasigurt nëse duhet t’i besonin këtij informacioni. Në nëntor, James Biden, vëllai i Joseph R. Biden Jr., i cili në atë kohë nuk mbante funksion publik, punësoi një ish-agjent të Shërbimit Sekret për të përcaktuar nëse autoritetet amerikane, në fakt, kishin ndërmend të arrestonin z. Ho nëse ai vinte në Shtetet e Bashkuara.

Ish-agjenti i Shërbimit Sekret u tha hetuesve se James Biden i kishte thënë atij se “kemi informacion nga Kina që Ho mund të arrestohet,” dhe se z. Ho ende dëshironte të udhëtonte drejt SHBA, por ishte i shqetësuar për pasojat.

Mesazhet që ish-agjenti i dërgoi një ish-kolegu tregonin se, në thelb, ai po kërkohej të verifikonte informacionin që kishte dalë nga paralajmërimi i z. McGonigal disa muaj më parë. Por meqë hetimi dhe çdo akuzë lidhur me të ishin ende sekret i ruajtur nga FBI, kontrolli i bazave të të dhënave nuk tregoi asnjë urdhër-arresti për z. Ho apo bashkëpunëtorët e tij.

Megjithatë, para Kongresit, James Biden dha një shpjegim tjetër për kërkesën e tij, duke theksuar se ai dhe nipi i tij, Hunter Biden, po përpiqeshin të zhvillonin marrëveshje biznesi në atë kohë me Komitetin e Fondit të Energjisë së Kinës.

Kur u pyet nëse ai kishte kërkuar nga ish-agjenti i Shërbimit Sekret “të përpiqej të zbulonte nëse kishte apo jo një hetim federal, përpara se ju dhe Hunter Biden të shkonit të takonit Patrick Ho, që të mund ta informonit në rast se kishte një aktakuzë,” z. Biden u përgjigj: “Absolutisht jo.”

Ai gjithashtu theksoi se kishte bërë kërkesën sepse donte të dinte nëse do të ishte problematike për të dhe Hunter Biden të takoheshin me z. Ho në Azi.

“Unë thjesht doja të dija, e di, nëse kishte ndonjë problem me Patrick Ho. Jo për ta informuar apo ndonjë gjë tjetër,” tha James Biden. “Vetëm për dijeninë time personale.”

Një avokat i z. Biden nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Hetuesit e FBI-së më vonë arritën në përfundimin se z. Ho vendosi të udhëtonte në SHBA pasi “me gjasë iu tha, mbi bazën e informacionit të dhënë nga një hetues privat, se ishte i sigurt të kthehej.”

Sapo mbërriti në SHBA, z. Ho u arrestua nga agjentët e FBI-së. Ai u dënua pas një gjyqi në vitin 2018.

Një tjetër objektiv i hetimit, një izraelito-amerikan, vendosi për shkak të paralajmërimit të z. McGonigal drejtuar Komitetit të Fondit të Energjisë së Kinës se edhe ai mund të ishte shënjestër e FBI-së. Ai hoqi dorë papritur nga vizita në SHBA, siç kishte planifikuar fillimisht, tha raporti. Si pasojë, FBI-ja humbi mundësinë për të kontrolluar shtëpinë dhe telefonin e tij, siç kishte planifikuar, përfundoi inspektori i përgjithshëm.

Regjistrat gjyqësorë dhe një person i njohur me çështjen tregojnë se personi në fjalë është Gal Luft, i cili u akuzua në vitin 2023 për shkelje të sanksioneve, trafik armësh, mosregjistrim si agjent i huaj dhe dhënie deklaratash të rreme para agjentëve të FBI.-së në vitin 2019. Z. Luft i ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se ka informacion komprometues kundër familjes Biden.