Nga Taulanta Jaupi
Prej më shumë se tre dekadash, politika shqiptare mbetet e kapur nga një rreth i mbyllur figurash që, pavarësisht rotacionit formal, nuk sjellin ndryshim real. Dy emrat që dominojnë skenën, Edi Rama dhe Sali Berisha, janë kthyer në simbole të një sistemi të mbyllur që pengon frymëmarrjen dhe rigjenerimin e politik.
Kjo ka prodhuar një kulturë politike të përqendruar te individët, jo te idetë, vizioni apo alternativa. Ata kontrollojnë gjithçka nga listat e kandidatëve për deputetë deri te vendimmarrja në parlament.
Pikërisht këtu qëndron rrënja e problemeve të sistemit: liderë që nuk ndërtojnë institucione, por i kontrollojnë e shpesh i dobësojnë për interesa personale, politike dhe ekonomike në shërbim të forcimit të pushtetit të tyre.
Në vend të një gare idesh për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social, kemi përballje të vazhdueshme personale. Në vend të përfshirjes së një elite të re politike, kemi përjetësimin e figurave të vjetra, që e kanë kthyer politikën në pronë private dhe partitë në instrumente personale.
Rezultati është një sistem i ngurtë, që i mbyll derën çdo alternative të re dhe që gjithnjë e më shumë i shtyn qytetarët drejt indiferencës, mosbesimit tek politika, depresionit të shoqërisë dhe largimit nga vendi.
Përpjekjet e grupimeve të reja opozitare për të thyer status quo-n nuk dështuan keyesisht për shkak të një sistemi zgjedhor të mbyllur dhe të padrejtë. Në një lojë me rregulla të njëanshme, çdo alternativë e re mbetet peng i fasadës së demokracisë.
Ky realitet nënvizon nevojën për një reformë zgjedhore rrënjësore, gjithëpërfshirëse dhe të garantuar institucionalisht që të krijojë mundësi reale për konkurrencë dhe përfaqësim.
Në këto kushte, më shumë se për emrat e qeverisë “Rama 4”, duhet të shqetësohemi për opozitën.
Në çdo demokraci funksionale, qeveria balancohet nga një opozitë aktive, e besueshme dhe konstruktive. Por në Shqipëri, opozita funksionon më shumë si zgjatim i krizave të brendshme personale dhe jo si përfaqësuese e interesit publik.
Ndaj, pyetjet dhe shqetësimi real nuk lidhen me ministrat e rinj, por me opozitën :
– A është opozita në gjendje të kontrollojë qeverinë?
– A ofron një alternativë të besueshme?
– A përfaqëson realisht interesat e qytetarëve apo është e tkurrur në ineresa personale?
Sot, më shumë se emrat e qeverisë së re që ka ideuar Rama në vapën e gushti, duhet të na shqetësojë gjendja e opozitës – e tredhur prej 34 vitesh pas emrit të Sali Berishës, herë në vijë të parë, herë në hije.
Shqipëria nuk vuan nga mungesa e qytetarëve të angazhuar, nuk vuan mungesën e talenteve apo ideve, por nga mungesa e hapësirës për t’i kthyer ato në përfaqësim politik. Koha e liderëve që sundojnë për dekada duhej të kishte mbaruar me kohë.
Demokracia ka nevojë për konkurrencë të ndershme, për garë, për hapësirë idesh dhe vizione të reja, për liderë që ndërtojnë institucione të pavarura, jo që i kontrollojnë ato. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një model të ri politik, ku qytetari është në qendër dhe politika është mjet për zhvillim, jo pengesë.
Nëse ky rreth nuk thyhet, Shqipëria do të vazhdojë të sillet rreth vetes, duke humbur energji, kohë dhe – më e dhimbshmja – shpresën dhe të ardhmen e brezave që vijnë.