Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së Arben Rakipit, drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe një prej hartuesve të projektkodit penal, i cili publikisht është shprehur: “Jam model për t’u ndjekur”.
Manjani, përmes një postimi, thekson se nuk e shqetëson vetë deklarata në aspektin etik apo estetik, por fakti se kodi penal i hartuar nga Rakipi rrezikon të kufizojë lirinë e qytetarëve. Sipas tij, edhe nëse ndjek “modelin Rakipi”, përsëri mund të përfundosh në burg, për shkak të dispozitave të parashikuara në draft.
“Me atë produkt, nëse Parlamenti e miraton dhe Brukseli jep dakordësinë, shumë ndjekës të tij mund të humbin lirinë kot fare,” shkruan Manjani, duke shtuar se problemi nuk është te personaliteti i Rakipit, por te përmbajtja e projektit.
Ai ndalet edhe te Shkolla e Magjistraturës, duke e cilësuar si një institucion që nuk nxjerr profesionistë të lirë në arsyetim, por “jeniçerë ligjorë”, pasi sipas tij aty nuk lejohet interpretimi sovran i ligjit, por vetëm zgjidhje të gatshme të diktuara.
Postimi i Manjanit:
Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe hartues i projektkodit penal, ka thënë publikisht se:
“… jam model për t’u ndjekur..”
***
Nuk dua asapak të merrem me arsyetime etike apo estetike të deklarimit të Tij. Në fund të fundit çdokush ka të drejtën e fjalës së lirë si kur flet për veten ashtu edhe për Belulin”.
Por halli është se edhe nëse ndjek Arben Rakipin dhe modelin e tij, prap mund të hysh në burg me kodin penal që Ai ka shkruar.
Kështu që më shumë sesa modeli i Tij na intereson produkti skandaloz që ka shkruar. Me atë produkt, nëse Parlamenti e miraton dhe për hatër të Ulsiut Brukseli jep dakordësinë, mund të humbin lirinë kot fare shumë ndjekës besnikë në Benit. Ti lemë ata që nuk e ndjekin këtë model se ata e e kanë hak burgun e përjetshëm madje.
Ky është halli. Pra të ndjekim modelin dhe prap hamë burgun!!!
Gjithashtu, meqë jemi tek Shkolla e Magjistraturës, duhet të kuptojmë se ajo shkollë nuk më nxjerr gjyqtarë e prokurorë si interpretues të ligjit, por thjesht jeniçerë ligjorë.
Në atë shkollë nuk lejohet arsyetimi i lirë e sovran por diktohen zgjidhje të gatshme rastesh.
Diktimi nuk është shkollë. Aq më pak shkollë e nivelit të Lartë ku duhet të dalin profesionistë.
Nga aty dalin Jeniçerë.
Kështu që duke ndjekur modelin Rakipi bëhesh ose jeniçer juridik ose hyn në burg.
—–
Edhe njëherë, asgjë personale me askënd. Por produkti publik meriton koment dhe kritikë.
Bye.