Juristi Kresnik Spahiu tha sot se Shqipëria e ka të nevojshëm një Kod të ri Penal, pasi ai aktuali është i vjetër dhe jashtë kohës, nëse marrim parasysh që hartuar dhe miratuar në vitin 1995.
Po ashtu, ai shtoi se Kodi i ri Penal duhet të jetë i përshtatshëm për ndëshkimin e krimeve që janë të pranishme në Shqipëri, edhe nëse kodet e vendeve të Bashkimit Europian nuk i kanë të përfshira ato lloj veprash.
“Mendoj që Shqipëria parimisht është në kohën e duhur për ndryshime thelbësore në Kodin Penal pse ndoshta për të përgatitur një Kod të ri Penal. Fakti që Shqipëria ka 30 vite që ka miratuar këtë kod, mjafton kaq për të kuptuar që 30 vitet e fundit përbëjnë ndryshime në marrëdhëniet shoqërore afro 1 shekull. Që do të thotë se Kodi Penal i miratuar në vitin 1995, nuk mund t’i përshtatet më realitetit shqiptar. Jo vetëm që jam pro ndryshimeve, por do isha pro edhe miratimit të një Kodi të ri Penal. Pastaj çështja në lidhje me detajet apo dispozitat të cilat propozohen amendimet, sigurisht që është pjesë e debatit dhe është krejt normale që të jetë e debatueshme. Kam dëgjuar me vëmendje kur thuhet që do të marrë vulën e Bashkimit Europian. E para, a kanë qenë ekspertët e BE-së pjesë e këtij që serviret pothuajse në 500 apo 600 dispozitat e saj? Është një nen me shumë shumë dispozita. Dhe cila është arsyeja që BE e kontestoi? Ne nuk mund të lidhimin thjeshtë dhe vetëm miratimin e një kodi të ri penal me domosdoshmërinë që është apo jo dakord BE-ja. Shqipëria mund të ketë një Kod Penal me standarde europiane, por fatmirësisht ka krime dhe vepra penale afrikane. Që do të thotë sa vepra penale në Shqipëri, nuk janë sjellja që kanë europianët. Janë krime që i gjen në shoqëri të pazhvilluara. Kjo nuk do të thotë që duhet të kemi një kod penal gjerman apo italian dhe të mendojmë se kjo do t’i zgjidhë të gjitha problemet e parandalimit të luftës kundër krimit në Shqipëi”,- tha Spahiu në një intervistë për Report Tv.