Ekspozimi ndaj metalit të plumbit mbetet një nga rreziqet më të fshehura për shëndetin, veçanërisht te fëmijët, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të këtij metali toksik.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) paralajmëron se prania e plumbit në lodra, objekte shtëpiake apo në mjedise të ndotura industriale mund të shkaktojë pasoja serioze në zhvillimin fizik dhe mendor të të miturve.
“Një vonesë në rritje, inteligjencë pak më e ulët, vështirësi në të nxënit, dëmtim të dëgjimit të të folurës apo shenja të anemisë. Më të ekspozuar për tu dëmtuar më rëndë janë fëmijët e kequshqyer, sidomos ato që kanë mungesë hekuri dhe kalciumi, pasi mungesa e këtyre dy elementëve e lehtëson absorbimin e plumbit në organizëm, me kalimin e viteve plumbi depozitohet në organe të ndryshme veçanërisht në kocka dhe në dhëmbë dhe gjatë një shtatëzanie ai hidhet në gjak duke dëmtuar fetusin”, u shpreh në një prononcim në media, shefja e departamentit të Promocionit Shëndetësor pranë ISHP, Genta Qirjako.
Sipas saj, në shumë mjedise, objekte, lodra fëmijësh apo produkte shtëpiake, mund të gjendet përmbajtje plumbi.
“Mund të gjendet në tokën e ndotur pranë zonave industrial, që kanë pas përdorur plumbin, mund të ndodhet në lodrat e fëmijëve kur këto lodra janë të vjetra, në ujin e pijshëm nëse tubacionet janë të vjetra dhe kanë përmbajtje pumbi, në bojën e vjetër të mureve të shtëpisë”, shtoi ekspertja Qirjako.
Ekspertët thonë se ekspozimi ndaj plumbit është më i rrezikshëm nëse ndodh gjatë shtatzanisë apo në fëmijëri, ndaj rekomandohen disa masa të thjeshta.
“Të jenë të kujdesshëm në larjen e duarve të fëmijëve, shmangia e ekspozimit të fëmijëve ku ndërtohet, ushqyerje e shëndetëshme, me hekur, kalcium e vitamin C”, theksoi Genta Qirjako.
Për të matur njohuritë e të rinjve në lidhje me rrezikun e plumbit, ekspertët kanë zhvilluar një pyetësor me të rinjtë 15-19 vjeç dhe u pa se 48% e tyre nuk kanë informacion të mjaftueshëm për burimet e ekspozimit ndaj tij.