Ballina Sport Leclerc dhe Hamilton kërkojnë podiumin për të kënaqur tifozët

Leclerc dhe Hamilton kërkojnë podiumin për të kënaqur tifozët

13
0

Formula 1 do të zhvillojë këtë fundjavë garën e Çmimit të Madh të Monzës. Në një autodrom të mbushur me tifozë italianë, ku mbizotëron ngjyra e kuqe, pilotët e Ferrarit, Leclerc dhe Hamilton, kanë detyrën e vështirë për t’u rikthyer te fitorja. Në prag të kësaj gare, piloti britanik i Ferrarit ka folur edhe për ushqimin italian.

Këtë fundjavë zhvillohet gara e shumëpritur në Formula 1, ajo e Çmimit të Madh të Monzës, etapa e 16-të e këtij botërori. Një garë plot ankth dhe e shumëpritur sidomos nga tifozët italianë të ferrarit, të cilët do të mbushin ambjentet e autodromit, megjithë sezonin e radhës zhgënjyes të Ferrarit, sidomos pas rezultatit katastrofik të garës së fundit në Holandë, kur të dyja makinat e kuqe u tërhoqën nga gara, duke mos marrë asnjë pikë. Në Monza, përveç ndonjë surprize, pritet sërish lufta midis dy makinave McLaren për fitoren.

Por Leclerc kërkon ringritjen. Të njëjtën gjë kërkon edhe Lewis Hamilton, që pas dy garave pa marrë asnjë pikë, do të përballet edhe me 5 pozicione penalizim në nisjen e garës në  Monza. Por në vigjilje të garës në Italia, piloti britanik i Ferrarit, ka folur edhe për ushqimin që hanë italianët, duke e krahasuar menunë italiane me atë në Angli dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai gjithmonë ka qenë shumë i kujdesshëm me dietën e tij, dhe në këtë vit të parë me Ferrarin, ai e ka njohur më në brendësi botën itaiane. Disa muaj më parë, ai tha se ishte veçanërisht i impresionuar nga fakti që i gjithë garazhi i Ferrarit zbrazet në kohën e drekës. Por tani, i ndodhur në Milano, hemilton reflektoi mbi diçka që e habiti veçanërisht.

Duke folur për ushqimin, ai tha në italisht: “Ju hani gjithnjë, sallatë, pjatën e parë, pjatën e dytë e pastaj ëmbëlsirën.” Ndërsa në anglisht, ai shtoi: “Nuk e kuptoj por të gjithë janë në formë të shkëlqyer. Nëse do të ishim në Angli ose Shtetet e Bashkuara, me këtë mënyrë ngrënie të gjithë do të peshonin 136 kg”.

Ndërsa përsa i përket garës në Monza ai theksoi: “Do të jap gjithçka nga vetja. Të jesh pilot i Ferrarit është gjëja më e veçantë ndonjëherë. Të shohësh atë det të kuq në podium është vërtet e pabesueshme, ashtu si edhe ky vend. Në Monza garojmë me ngarkesën më të vogël aerodinamike të mundshme, është si të kërcesh në majë të gishtave, të krijohet ndjesia sikur do të fluturosh”.