Ballina Kuriozitete Mes shkencës dhe fantashkencës, a mund të jetojë njeriu deri në 150...

Mes shkencës dhe fantashkencës, a mund të jetojë njeriu deri në 150 vjet?

4
0

A mund të jetojë njeriu deri në 150 vjet? Pyetja që prej shekujsh ka magjepsur pushtetarë, shkrimtarë dhe miliarderë, është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes pas një bisede mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping. Një mikrofon i hapur i ka kapur dy liderët duke diskutuar për transplantet e organeve dhe për mundësinë që jetëgjatësia njerëzore të arrijë nivele të paparashikuara.

“Bioteknologjia po zhvillohet vazhdimisht, organet njerëzore mund të transplantohen pa pushim. Sa më gjatë të jetosh, aq më i ri bëhesh, deri edhe në arritjen e pavdekësisë,” tha Putin. Xi iu përgjigj duke shtuar: “Ka parashikime që në këtë shekull njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjet. Dikur të arrije në 70 ishte e rrallë, ndërsa sot në atë moshë je ende fëmijë.”

Megjithatë, ekspertët e shohin këtë si një perspektivë larg realitetit. Piergiorgio Messa, profesor i nefrologjisë në Universitetin e Milanos, thekson se transplantet nuk mund të jenë një zgjidhje e qëndrueshme: “Për momentin përdoren vetëm organe njerëzore. Organet artificiale ose ato të kafshëve janë ende shumë larg. Për më tepër, një i transplantuar duhet të marrë medikamente që shpesh veprojnë kundër vetë qëllimit të zgjatjes së jetës.”

Një tjetër pistë është rigjenerimi i qelizave. Kjo do të thoshte në teori kthimin pas të procesit të plakjes, por sipas mjekëve, do të sillte rreziqe të mëdha etike dhe biologjike. Një rigjenerim pa kufi kohor do të kishte ngjashmëri me zhvillimin e qelizave tumorale, duke hapur rrugën për kancerin.

Studimet ndërkombëtare për jetëgjatësinë tregojnë se kufiri i jetës njerëzore ndodhet diku mes 115 dhe 125 viteve, edhe pse disa modele kompjuterike kanë dalë në përfundimin teorik prej 150 vjetësh. Rekordi absolut i njohur deri më sot mbetet Jeanne Calment, një grua franceze që jetoi 122 vjet.

Në pritje të përparimeve të shkencës, ekspertët sugjerojnë se mënyra më e sigurt për të zgjatur jetën nuk janë transplantet, por kujdesi ndaj sëmundjeve që prekin moshën e tretë: kanceri, sëmundjet e zemrës dhe ato neurodegjenerative si Alzheimer. Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, vetëm 25% e procesit të plakjes lidhet me gjenet, ndërsa pjesa tjetër varet nga stili i jetesës. Dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi i mjaftueshëm, reduktimi i stresit dhe një jetë sociale aktive janë elementët që mund të zgjasin realisht jetën.