Ministria e Bujqësisë përmes një urdhri të botuar në Fletoren Zyrtare ka miratuar rregullat e detajuara për praktikat enologjike, protokollet dhe metodat e analizave për produktet e përftuara nga përpunimi i rrushit për verë.
Pasurimi dhe fortësia alkoolike
Rregullat e reja përcaktojnë kufirin e pasurimit të verës. Fortësia alkoolike natyrale lejohet të rritet deri në 1,5% sipas vëllimit, ndërsa në vitet me kushte klimatike veçanërisht të pafavorshme, ky nivel mund të shtohet me 0.5% me miratimin e Këshillit Kombëtar të Verës.
Gjithashtu, rregullat parashikojnë që proceset e pasurimit, përmes mushtit të përqendruar, osmozës së kundërt apo përqendrimit me ftohje, të mos çojnë në rritje të vëllimit fillestar me më shumë se 6,5% dhe të mos ulin vëllimin e produktit me më shumë se 20%. Në çdo rast, fortësia totale nuk duhet të kalojë 13,5%, përveç rasteve të veçanta të verërave me emërtim origjine të mbrojtur, ku lejohen nivele më të larta sipas protokolleve të posaçme.
Acidifikimi dhe deacidifikimi
Urdhri vendos gjithashtu kufijtë e qartë të aciditetit në verë. Acidifikimi lejohet deri në 4g/l acid tartrik (53,3 miliekuivalentë/litër), ndërsa deacidifikimi deri në 1g/l acid tartrik (13,3 miliekuivalentë/litër). Këto masa do të sigurojnë balancën e shijes, cilësinë e ruajtjes dhe përshtatjen e verës me kushte të ndryshme klimatike. urdhri përcaktohet se acidifikimi dhe pasurimi nuk mund të aplikohen njëkohësisht mbi të njëjtin produkt.
Verërat e fortifikuara
Ndërsa sa u përket verërat e fortifikuara likeroze rregullat lejojnë shtimin e alkoolit të distiluar nga vera apo nga rrushi i thatë, me fortësi që varion nga 52% deri në 96% në volum.
Rregullat e reja qartësojnë gjithashtu procesin e kupazhimit, ku do të konsiderohen si kategori të ndryshme të verërave ose mushtit: vera e kuqe, vera e bardhë dhe mushtet ose verërat e përshtatshme për prodhimin e njërës prej këtyre kategorive të verërave; si dhe verërat pa emërtim origjine të mbrojtur dhe verërat pa tregues gjeografik të mbrojtur, verërat me emërtim origjine të mbrojtur (EOM) dhe verërat me tregues gjeografik të mbrojtur (TGJM), si dhe mushtet ose verërat e përshtatshme për të prodhuar një nga këto kategori verërash.
Për qëllime klasifikimi, vera rozë (trëndafil) konsiderohet si verë e kuqe. Ndërkohë nuk do të konsiderohet si kupazhim, pasurimi me shtim mushti rrushi të përqendruar ose mushti rrushi të përqendruar të korrigjuar, si dhe ëmbëlsimi.
Sipas urdhrit, “Verë e fortifikuar likeroze me emërtim origjine ose tregues gjeografik të mbrojtur” do të konsiderohet edhe produktet alkool nga vera ose alkool nga rrushi i thatë me një fortësi alkoolike efektive jo më pak se 95% në volum dhe jo më shumë se 96% në volum; pije alkoolike të distiluara nga vera ose nga bërsia e rrushit, me një fortësi alkoolike efektive jo më pak se 52% në volum dhe jo më shumë se 86% në volum; pije alkoolike të distiluara nga rrushi i tharë, me një fortësi alkoolike efektive jo më pak se 52% në volum dhe më pak se 94,5% në volum.
Po kështu në këtë kategori do të bëjnë pjesë sipas rastit produktet musht rrushi pjesërisht i fermentuar, i përftuar nga rrushi i tharë; musht rrushi i përqendruar i përftuar nga nxehtësia, si dhe mushti rrushi i përqendruar. /ekofin.al