Pak ditë më parë, rrjetet sociale “u ndezën” nga një lajm që bëri bujë në mbarë botën, këngëtarja me famë ndërkombëtare Taylor Swift dhe ylli i NFL, Travis Kelce, konfirmuan fejesën e tyre përmes një postimi të përbashkët.
Tani, mediat e huaja raportojnë se çifti i famshëm ka zgjedhur edhe vendin ku do të kurorëzojnë dashurinë e tyre: Rhode Island, një nga shtetet më piktoreske të SHBA-së.
Sipas burimeve për “Page Six”, ceremonia pritet të mbahet verën e ardhshme, ndërsa një mik i çiftit ka treguar se Swift është e emocionuar dhe po mendon për zgjerimin e familjes.
“Ajo është me nxitim për të pasur fëmijë,” ka deklaruar burimi.
Guvernatori i Rhode Island, Dan McKee, ka mirëpritur zgjedhjen e çiftit, duke shkruar në një postim të fundit:
“Rhode Island ka disa nga vendet më të mira të dasmave në botë, thjesht po e them.”
Ndërkohë, mediat raportojnë se shtëpia luksoze e Taylor Swift në lagjen Watch Hill të Westerly po rinovohet aktualisht. Këngëtarja e bleu këtë rezidencë në vitin 2013 për 17.5 milionë dollarë. Ajo përfshin 8 dhoma gjumi, 10 banja, pishinë dhe kopshte në një sipërfaqe prej 13 hektarësh. Kjo shtëpi është bërë e njohur nga festat madhështore të Swift për Ditën e Pavarësisë.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse ceremonia e dasmës do të mbahet në këtë pronë apo në një tjetër vend në zonë.
Burimet pranë çiftit theksojnë se dasma do të jetë private dhe e thjeshtë, larg pritshmërive për një event madhështor hollywoodian.
“Do të jetë më e thjeshtë nga sa mendojnë njerëzit,” shtoi burimi.
Fejesa e çiftit u bë publike më 26 gusht 2025, përmes një serie fotosh të realizuara në oborrin e shtëpisë së Travis Kelce.