Ballina Opinion Pse marrim më shumë kredi?

Pse marrim më shumë kredi?

21
0

Nga Fatos Çoçoli

Viti 2025 po shënon një rritje të fortë në tregun e kredidhënies bankare në Shqipëri. Ne si qytetarë, por edhe sipërmarrësit, kemi zgjeruar kërkesën për hua nga bankat. Duke e çuar nivelin e kredisë bankare në shifra rekord. Po pse? Ky zhvillim lidhet ngushtë me politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë dhe me rritjen e besimit të qytetarëve dhe sipërmarrësve tek sistemi ynë bankar. Huaja bankare për banesa për qytetarët në tetë muajt e parë janar–gusht 2025 është shtuar ndjeshëm. Ky shtim pasqyron rritjen e kërkesës sonë për strehim, dinamizmin e tregut të pasurive të paluajtshme që ofron gjithnjë e më shumë apartamente, politikën e Bankës së Shqipërisë për të nxitur kreditimin dhe punën e vetë bankave tregtare për të zgjeruar huadhënien hipotekare.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për banesa është rritur me rreth 15 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke e çuar totalin në mbi 270 miliardë lekë, ose 2.75 miliardë euro. Kredia për banesa përbën sot më shumë se gjysmën e totalit të huave për individët, duke konfirmuar dominimin e saj në strukturën e huamarrjes familjare. 90 për qind e familjeve shqiptare sot janë pronare shtëpish. Ky tregues është më i larti ndër familjet pronare shtëpish në Ballkan. Mesatarja e shumës së huas për çdo banesë ka arritur në 6.2 milionë lekë ose 63 mijë euro, duke reflektuar rritjen e çmimeve të apartamenteve. Politika e Bankës së Shqipërisë është lehtësuese për shtimin e kredisë, sidomos asaj në lekë. Nga ana e tyre, vetë bankat tregtare ofrojnë periudha shlyerjeje deri në 30 vjet për huat e banesave, si dhe norma interesi të ulëta, krahasuar me vitet e mëparshme. Kështu, norma e interesit të kredisë për banesa këtë vit ishte mesatarisht 5.2 për qind, në krahasim me 6.1 për qind në vitin 2023, ose 17 për qindmë e ulët.

Ndërkohë, kërkesat për kredi “online” janë rritur me mbi 40 për qind, falë dixhitalizimit të shërbimeve bankare. Pritshmëritë janë që kredia për banesa të vijojë në rritje edhe në gjysmën e dytë të këtij viti. Veçse me një ritëm më të moderuar, për shkak të kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë për të ruajtur qëndrushmërinë financiare të vendit. Pritet po ashtu që deri në fund të vitit, portofoli i kredisë për banesa të kalojë shifrën e 290 miliardë lekëve ose rreth 3 miliardë euro. Shtimi i ndjeshëm i kredisë për banesa këtë vit ndikon jo vetëm në zhvillimin e tregut bankar e financiar, por edhe në strukturën shoqërore dhe ekonomike të vendit. Ndërsa ofron mundësi për përmirësimin e kushteve të jetesës të qytetarëve dhe nxit sektorin e ndërtimit, ky zhvillim kërkon masa të kujdesshme rregullatore, të cilat Banka e Shqipërisë po i merr, për të shmangur mbingarkimin me borxh dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit tonë bankar dhe financiar.

Krahas huas së shtuar për qytetarët, ky vit po karakterizohet nga një rritje e dukshme e kredisë bankare për sipërmarrjet në Shqipëri. Ky zhvillim lidhet ngushtë me zgjerimin e aktivitetit ekonomik të vendit, me kërkesën për investime të reja dhe mbështetjen që bankat po i ofrojnë bizneseve, sidomos atyre në sektorë strategjikë, si energjetika, turizmi etj.. Portofoli i huave për bizneset është rritur me 12 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025, në krahasim me janar-qershor 2024, duke arritur në 330 miliardë lekë ose mbi 3.4 miliardë euro. Kreditë për sipërmarrësit përfaqësojnë sot 52 për qind të totalit të kredisë bankare, duke ruajtur një peshë të fortë në strukturën e huadhënies.

Sektori i parë që ka marrë më shumë hua nga bankat del turizmi, me investime për zgjerim kapacitetesh dhe në infrastrukturën turistike, me mbi 18 për qind, në krahasim me huat e periudhës janar–qershor 2024. E dyta renditet energjia e rinovueshme, kryesisht nga panelet diellore dhe nga hidrocentralet private, me 15 për qind rritje. Të tretat vijnë teknologjia dhe shërbimet, me mbi 14 për qind shtim, me investime për zhvillim dixhital dhe inovacion. Kredia është shtuar si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset këtë vit, edhe për shkak të stabilizimit ose uljes së normave të interesit të huave. Kjo e ka bërë huan bankare më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Kredinë për bizneset e ka ndihmuar shumë edhe mbështetja e qeverisë dhe garancitë e saj sovrane, sidomos në sektorin e huave për bujqësinë dhe zhvillimin rural (bujtinat etj.). Po ashtu, edhe kërkesa për kapital qarkullues dhe financim të projekteve të reja ka ardhur në rritje, veçanërisht në ndërtim, shërbime dhe eksport.

Nga ana tjetër, proceset më të shpejta të aplikimit dhe shërbimet “online” kanë rritur aksesin e sipërmarrjeve të kreditë bankare. Parashikohet që kredia për sipërmarrjet të arrijë në 360–370 miliardë lekë, ose mbi 3.8 miliardë euro, deri në fund të vitit, me ritëm rritjeje të qëndrueshëm. Fokus i veçantë do të jetë financimi i projekteve të gjelbra, inovacionit teknologjik dhe ndërmarrjeve që kontribuojnë në eksport. Banka e Shqipërisë pritet të vijojë politikat e kujdesshme mbikëqyrëse edhe për kreditë për bizneset, për të shmangur rrezikun e ekspozimit të lartë ndaj bizneseve të brishta financiarisht. Një vend sot nuk mund të zhvillohet pa hua bankare. Shtimi i tyre në mënyrë të kontrolluar vetëm e ndihmon rritjen ekonomike të Shqipërisë.