Ballina Politika Shumë zhurmë për asgjë: Rikthimi i sezonit televiziv me skemën e sherrit...

Shumë zhurmë për asgjë: Rikthimi i sezonit televiziv me skemën e sherrit dhe “ekspertëve” që nuk thonë asgjë

0
22

Mbrëmë nisi zyrtarisht sezoni i ri televiziv i emisioneve të rëndësishme televizive. Ajo që ra në sy ishte shfaqja e kryeministrit në emisionin Opinion, në një intervistë të regjistruar në të cilën ai foli për shumë tema, por pa dhënë asnjë detaj për qeverinë e re. Që në fakt është e vetmja gjë për të cilën mund të thoshte diçka të re, duke qenë se gjatë sezonit të verës ai ka dalë vazhdimisht për të shpjeguar punën e mazhorancës. Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, prishja e tendave dhe lirimi i hapësirave publike, dy nga aksionet më të rëndësishme të qeverisë gjatë muajve të fundit, ishin tema që u prekën, por që nuk sollën asgjë të re veç retorikës që Edi Rama ka përdorur gjatë gjithë kësaj kohe. Në studiot e tjera televizive u duk se vera ishte thjesht një stinë që kishte ndihmuar analistët të merrnin pak ngjyrë nga dielli. E njëjta bisedë, të njëjtët ekspertë joekspertë dhe paralajmërime për ngjarje që askush nuk ka një argument të saktë për të të shpjeguar se pse do të ndodhin. Fallxhore që parashikojnë arrestime të bujshme, emërime ministrash dhe analiza sipas oreksit të gjithsecilit. Studio të mbushura me politikanë arrivistë që shfrytëzojnë hapësirën për t’i rënë në sy shefit dhe analistë apo gazetarë që përpiqen të justifikojnë rrogën që marrin për të qenë të tillë. I vetmi lajm që bëri xhiron e rrjetit ishte deklarata e dashurisë së përjetshme që Ervin Salianji i bëri partneres së tij, Grida Duma. Një ngjarje që mori vëmendje a thua se në këtë vend shqetësimi i qytetarëve ka ngecur tek jeta private e dy njerëzve që tashmë përfaqësojnë vetëm mendimin e tyre dhe asgjë tjetër.

Asnjë analizë e ftohtë dhe e saktë për krizën në Shqipëri. Për atë që po ndodh me dosjet e krimit dhe politikës. Kurioziteti për emrat e ministrave duket më i fortë se vetë puna dhe aktiviteti i qeverisë apo fakti që PS është shndërruar në një skalion luftarak ku urdhrat e gjeneral Ramës nuk diskutohen. Asnjë analizë kirurgjikale për atë që po ndodh me opozitën, apatike dhe e fraksionuar më shumë se kurrë dhe në një luftë banale për të ndarë ca poste administrative në Kuvendin e ardhshëm. Debatet e së enjtes në mbrëmje u fokusuan tek cic-micet e politikës së ditës, pa pasur në fokus problemet e vërteta të shqiptarëve. Madje, as për sezonin turistik nuk pati një bisedë apo analizë të detajuar dhe të saktë. Studio plot e përplot me gazetarë dhe analistë që ndjekin dirigjentin (drejtuesin e emisionit), të pashqetësuar se ajo që po ndodh në studio nuk i hyn në xhep asnjë shqiptari.

Kjo panoramë e varfër dhe gati-gati dëshpëruese është sinjali i parë se sezoni i ardhshëm politik dhe mediatik do të jetë si ai që lamë pas. Me ulje-ngritjet e debatit banal të politikës së ditës, pa pasur asnjë thelb apo ndikim në përmirësimin e situatës për shqiptarët. Shfaqje ku ngrihet zëri, përplasen të ftuarit, por jo idetë, ku sherrat janë i vetmi produkt i një emisioni, janë tregues se tashmë televizioni dhe emisionet e mbrëmjes janë thjesht një shtojcë e asaj që politika u ofron shqiptarëve. Shumë zhurmë për asgjë. Shterpësia e ideve të rrahura, mungesa e argumentit dhe trajtimit të temave serioze po i humbin TV-së në Shqipëri statusin e institucionit që ngre probleme edhe pse nuk ka mundësi t’i zgjidhë. Rehatia e atyre që janë në studio është mesazhi i vetëm që dhanë emisionet e mbrëmjes së të enjtes. Duke i bërë shqiptarët më shumë skeptikë për atë që i pret në të ardhmen e afërt dhe duke braktisur median tradicionale në këmbim të rrjeteve sociale, që me gjithë kaosin dhe tregun pa rregulla, të paktën të japin mundësi të informohesh dhe të krijosh një opinion të pavarur nga ata që paguhen si opinionistë dhe sillen si vartës të njërës apo tjetrës parti./vna