Ballina Ekonomia Autoriteti i Konkurrencës konstaton situatë monopol në favor të Sigal Life tek...

Autoriteti i Konkurrencës konstaton situatë monopol në favor të Sigal Life tek Raiffeisen Bank

19
0

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një konsultim publik me qytetarët kredimarrës, rreth mënyrës se si bankat e nivelit të dytë bëjnë përzgjedhjen se ku kanë bërë sigurimin e jetës për kreditë që kanë marrë gjatë viteve 2021–2025.

Shqetësimet pasojnë një hetim të Autoritetit të Konkurrencës ku rezulton se për kreditë konsumatore, banka Raiffeisen ka lidhur kontratë monopol me Sigal Life, duke e bërë atë të vetmen shoqëri sigurimi ku klientët mund të merrnin policën e detyrueshme.

Autoriteti i Konkurrencës është në një fazë të avancuar të hetimit të thelluar lidhur me praktikat e bankave të nivelit të dytë në tregun e sigurimit të jetës të lidhur me kreditë. Qëllimi kryesor i këtij hetimi është forcimi i konkurrencës nëpërmjet ekzistencës së një tregu të lirë dhe konkurrues, ku kredimarrësit të kenë mundësi të zgjedhin lirisht ofertën më të mirë.

Hetimi mbulon periudhën 07.11.2021 deri më 26.03.2025 dhe ka si objekt verifikimin e rrethanave në të cilat kredimarrësit kanë realizuar sigurimin e jetës për kreditë e tyre gjatë kësaj periudhe.

Në kuadër të këtij procesi, Autoriteti i Konkurrencës fton çdo kredimarrës që ka marrë kredi dhe ka paguar në lidhje me sigurimin e jetës për kredinë, të japë me dëshirë informacion dhe dëshmi mbi eksperiencën e tyre. Në mënyrë të veçantë, kërkohet që kredimarrësit të informojnë Autoritetin për çdo rast kur:
1.             Nuk u është dhënë mundësia të zgjedhin lirisht shoqërinë e sigurimit të jetës, apo;
2.             Vlerësojnë se kanë pasur pengesa apo detyrime të imponuara nga bankat lidhur me këtë zgjedhje.

Gjatë periudhës së hetimit janë prerë rreth 39,000 polica sigurimi vetëm pranë Sigal Life, e cila ka përfituar mbi 90% të tregut të sigurimit të jetës për kreditë pranë Raiffeisen Bank. Për rrjedhojë, banka ka arkëtuar të ardhura të konsiderueshme nga komisionet e marra prej kësaj shoqërie.

Në përfundim, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se sjellja e Raiffeisen Bank SHA ka kufizuar zgjedhjet e klientëve dhe ka ndikuar në konkurrencën e tregut.