Ballina Aktualitet ‘Dita e dytë e protestës në Marinzë’! Naftëtarët e Bankers Petroleum japin...

‘Dita e dytë e protestës në Marinzë’! Naftëtarët e Bankers Petroleum japin ultimatum: Pa marrëveshje, ndalim total i punës

12
0

Mesditën e sotme, dhjetëra naftëtarë të kompanisë Bankers Petroleum janë mbledhur përpara zyrave të kompanisë në Marinzë, në një protestë të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur.

Kjo është dita e dytë që ata dalin në shesh, pasi një protestë e ngjashme u zhvillua edhe një ditë më parë.

Me pankarta në duar, punonjësit kërkuan që të mos zgjatet kontrata aktuale e kompanisë pa u firmosur një marrëveshje e re që garanton të drejtat e tyre.

“Greva do të thotë se ne nuk punojmë më dhe kryqëzojmë duart. Ju kërkoni kontratë nga shteti, doni të zgjasi abonimi i kësaj kompanie, por nuk do ta keni. Të jeni të sigurt se nuk do të ketë asnjë kontratë më. Ajo mund të na jepet vetëm neve. Duhet një marrëveshje e re me ne”, u shprehën naftëtarët gjatë protestës.

Sipas tyre, deri më tani nuk ka transparencë për kontratat ekzistuese dhe asnjë informacion zyrtar për një marrëveshje të ardhshme, duke i shtyrë drejt grevës totale në rast se kërkesat nuk merren parasysh.

Protestuesit kanë theksuar se janë të vendosur për të ndalur punën derisa të arrihet një zgjidhje konkrete dhe një marrëveshje e re me punonjësit.

Aktualisht, pritet reagimi i autoriteteve dhe i kompanisë për situatën, ndërsa sindikata paralajmëron se greva mund të ashpërsohet në ditët në vijim.