Nga Arian Galdini
Nuk ka shtet pa breza. Kontrata themelore e një kombi nuk shkruhet vetëm në letër; ajo vuloset në maternitete dhe në bankat e shkollave.
Arendt e quajti lindshmërinë, aktin themelor të politikës, sepse çdo fëmijë hap një fillim të ri (Arendt 1958).
Kur fillimet pakësohen, rendi politik shteron.
Shqipëria sot përballet me një padi të ftohtë e të drejtpëdrejtë, me balancë natyrore negative, ikje të brezit aktiv, mosha mesatare në ngjitje.
Çdo buletin i INSTAT-it është provë; çdo tabelë e Eurostat-it, ekspertizë; çdo vlerësim i OECD/WHO, akt-konstatim mbi qëndrueshmërinë.
Nëse politika është art i së ardhmes, atëherë mosveprimi demografik është braktisje e së ardhmes.
Këtu fillon ky reflektim, po të doni mund ta quajmë edhe si një akt–ekspertizë mbi dështimin e tri mandateve (2013–2025) dhe si një manifest për Doktrinën e Mbijetesës Demografike.
Shteti nuk qëndron mbi pllaka, por mbi qarkullimin e jetës.
Neni i parë i kushtetutës së pashkruar të çdo kombi është ripërtëritja, lindje që mbajnë gjuhën, familje që e ushqejnë, të rinj që e mbrojnë.
Pa këtë nen, të gjitha nenet e tjera rrinë bosh si korniza pa tekst.
Shqipëria sot ka korniza të lyera, kartolina që shkëlqejnë për turistin, por brenda tekstit i mungon subjekti, foshnja që vjen në jetë, familja që vendos të rrijë, i riu që e sheh të ardhmen këtu.
Çfarë po shkruaj këtu, nuk është zemëratë, është shqyrtim i hollësishëm nëpërmjet shifrave e fakteve që flasin më fort se vetë analiza ime.
Nuk po shkruaj as parullat e fjalimin pompoz politiko – akuzativ, të radhës.
Ky është memorandum ndërgjegjeje.
Nuk është polemikë partiake; është qëntim i provave.
Provat janë të ftohta dhe të pakundërshtueshme.
Në vitin 1989, Shqipëria kishte rreth 3.3 milionë banorë, moshë mesatare 26 vjeç dhe fertilitet 3.2 fëmijë për grua (INSTAT 2023; World Bank 1990).
Në vitin 2023, rezidentët janë rreth 2.76 milionë, me fertilitet ~1.3 dhe lindje vetëm ~23 mijë, ndërsa vdekjet >31 mijë , bilanc natyror negativ (INSTAT 2023; Eurostat 2022).
Në mes, një eksod i gjatë mbi 1.2 milion njerëzish (World Bank 2022).
Këto nuk janë luhatje e as normalitet i kohës; janë ndryshim i natyrës së shtetit.
Nëse Hannah Arendt e quajti natalitetin kusht themelor të politikës, sepse çdo fëmijë është një fillim i ri, mungesa e tij është akti themelor i shuarjes.
Pa fillime të reja, politika reduktohet në menaxhim fasadash.
Dhe kur një qeverisje menaxhon veç pamjen e vetë, të vendit e shoqërisë, dhe harron frymën e vizionin, rrezikon jo humbje zgjedhjesh, por humbjen e shpirtit të kombit e të njerëzve të tij.
Këtu vijojnë katër thagma të thjeshta:
1. Sovraniteti varet nga demografia. Pa moshë aktive nuk ka buxhet, ushtri, rritje, as peshë ndërkombëtare (OECD 2022).
2. Demografia varet nga politika publike. Familja, arsimi, shëndetësia, strehimi, puna e denjë e bëjnë ose e prishin vendimin për të lindur e për të qëndruar (Eurostat 2021; UNESCO 2022; WHO 2022).
3. Krizat e sotme janë të matshme. Ato shihen në raportin punëtor–pensionist <1.5:1, në >500 shkolla të mbyllura në një dekadë, në remitanca >7% PBB që mbajnë konsum por jo jetë (ISSH 2022; MAS 2022; Banka e Shqipërisë 2023).
4. Zgjidhja ekziston, po kërkon vizion, buxhet dhe ligj. Vendet që vepruan (Hungari, Poloni, disa komuna kroate e serbe) panë kthesa të matshme (Eurostat 2021).
Shekulli i ritmit që ngadalësohet, panorama globale.
Shekulli XX ishte shekulli i eksplodimit demografik, nga 2.5 mld (1950) në >6 mld (2000) (UN DESA 2022; UN 2023).
Fertiliteti global >5 fëmijë/grua në vitet ’60 (World Bank 2021); baby-boom-i mbushi shkollat dhe fabrikat.
Shekulli XXI solli kthesë: sot rreth 8.1 mld, por ritmi i rritjes është përgjysmuar; kulm 9.7 – 10 mld rreth 2060-2080, më pas tkurrje (UN DESA 2022). TFR ~2.3 global; në shumë vende të zhvilluara <1.5, në disa aziatike <1.0.
Europa plaket: mosha mesatare >44 vjeç (Eurostat 2023).
Japonia është maja: mosha mesatare ~49, rënie nga 128 milion (2010) në ~124 milionë (2023) (SBJ 2023).
Korea e Jugut është rekordi i ulët: ~0.78 TFR (Statistics Korea 2023).
Kina pa për herë të parë tkurrje në 2022 (NBS China 2023).
OECD e përkufizon si “sfidën më të madhe të shekullit XXI për qëndrueshmërinë e shteteve” (OECD 2022), më pak kontribues fiskalë, më shumë barrë sociale, më pak kurajë inovacioni, më pak kapacitet mbrojtës.
Me fjalë të thjeshta, pa brez aktiv, shteti humb pushtetin, fuqinë, ndikimin, rolin.
Reagimet serioze nuk maten me fjalë, por me veprime të shkruara në ligj dhe të vulosura në buxhet.
Franca dhe Gjermania e kanë kuptuar prej kohësh se një komb nuk mbahet vetëm me retorikë; për këtë arsye kanë ngritur sisteme të plota mbështetjeje për familjet: leje prindërore të paguara, çerdhe publike të garantuara, ndihma mujore që e bëjnë fëmijën jo një barrë, por një dhuratë të mundshme për çdo prind.
Hungaria, e dalë nga një tranzicion i ashpër, e kuptoi se politika demografike nuk është luks, por kushtrim mbijetese.
Ajo vendosi kredi të falshme për nënat me shumë fëmijë, ulje të ndjeshme taksash për gratë me katër e më shumë lindje, dhe brenda një dekade arriti të ngrejë normën e fertilitetit nga rreth 1.25 në 1.59 (Eurostat 2021).
Polonia, me programin “500+”, jo vetëm që u përpoq të stabilizojë lindjet, por uli edhe varfërinë e fëmijëve në mënyrë të ndjeshme, duke treguar se politika demografike nuk është thjesht çështje statistikash, por edhe e drejtësisë sociale.
Mësimi është i qartë dhe i pamëshirshëm: aty ku ka vizion, aty ku ka ligj, aty ku ka buxhet të qëndrueshëm, ka kthesë.
Procesi është i ngadaltë, rezultatet nuk vijnë brenda natës, por energjia e kombit nis të rigjenerohet.
Politika që vë familjen në qendër nuk është vetëm investim financiar, por investim në vetë vazhdimësinë e shtetit.
Shqipëria, për fat të keq, hyn në këtë panoramë jo si një rast kurioz, por si një dramë dyfishe pasi ndërkohë që bota perëndimore përballet me plakjen dhe disa vende me emigracionin, ne i bartim të dyja plagët njëherësh.
Popullsia jonë plaket me ritme të shpejta, ndërkohë që rinia largohet pa kthim.
Bota vuan një sëmundje; Shqipëria i vuan të gjitha. Kjo e bën krizën tonë jo vetëm më të thellë, por edhe më urgjente.
Për ne, çdo vit i humbur nuk është thjesht statistikë, por një brez që shuhet, një fshat që zbrazet, një bankë shkolle që kthehet në muze të heshtjes.
Nëse Gjermania, me gjithë fuqinë e saj ekonomike dhe institucionale, e trajton plakjen si rrezik për të ardhmen kombëtare, si mund ta injorojë Shqipëria, e cila nuk ka as luksin e ekonomisë së madhe dhe as stabilitetin e shtetit social?
Nëse Hungaria dhe Polonia, me histori të tranzicionit të vështirë, e kanë kuptuar se vetëm politika aktive e shpëton kombin nga zbrazja, pse Shqipëria vazhdon të endet me bonuse simbolike dhe samite retorike?
Për ne nuk ka kohë për eksperimente.
Për ne, çdo vit i humbur është një arterie më pak që rreh në trupin e kombit.
Për këtë arsye, përgjigjja jonë duhet të jetë dyfish më e fortë, dyfish më e kthjellët, dyfish më e guximshme.
Ne nuk kemi luksin e hezitimit.
Ne nuk mund të presim.
Nëse nuk reagojmë tani me një Doktrinë të Mbijetesës Demografike, atëherë nuk do të jemi thjesht shembulli i një kombi të varfër, por rasti unik i një kombi që zgjodhi vetëshuarjen përballë alternativës së shpëtimit.
Shqipëria 1989–2025, anatomia e shterimit. Nga kulmi demografik te tharja.
Kulmi ishte viti 1989, Shqipëria kishte arritur 3.3 milion rezidentë, me një moshë mesatare vetëm 26 vjeç dhe një normë fertiliteti prej 3.2 fëmijësh për grua (INSTAT 2023; World Bank 1990).
Ishte një shoqëri e re, me energji që pulsonte në çdo fshat dhe qytet, me horizonte që dukej se do të mbusheshin brez pas brezi.
Çarja nisi shpejt. Vetëm në vitet 1990 – 1992, mbi 300 mijë shqiptarë u larguan në një eksod biblik (Eurostat 1995).
Brenda tri dekadash, më shumë se 1.2 milion shqiptarë janë bërë emigrantë aktivë (World Bank 2022).
Nga një popullsi që rritej me shpejtësi, Shqipëria u kthye në një trup që humb gjakun e vet natyral.
Sot, brenda kufijve, kanë mbetur vetëm rreth 2.76 milion rezidentë; fertiliteti ka rënë në rreth 1.3, lindjet janë vetëm 23 mijë në vit kundrejt mbi 31 mijë vdekjeve (INSTAT 2023; Eurostat 2022).
Bilanci natyror është bërë negativ, një kthesë dramatike që nuk është më episod, por normë.
Struktura e moshës ka ndryshuar si një kockë që thyhet e nuk bashkohet më si më parë.
Mosha mesatare është tashmë mbi 38 dhe pritet të kalojë 44 deri në vitin 2050 (Eurostat 2022).
Raporti punëtor-pensionist, dikur 7 me 1, ka rënë në më pak se 1.5 me 1 (ISSH 2022).
Ky nuk është thjesht problem demografik, është alarm fiskal, kur baza e kontribuesve tkurret, çdo vit rritet barra e subvencioneve, dhe çdo vit ngushtohet hapësira për investime publike.
Një shtet pa bazë kontribuesish bëhet një trup që jeton me borxhe, jo me frymë.
Indet tregojnë plagë të thella.
Brenda një dekade janë mbyllur mbi 500 shkolla (MAS 2022).
Universitetet kanë humbur gjysmën e studentëve krahasuar me vitin 2012 (MAS 2023).
Sistemi shëndetësor mbijeton me një buxhet rreth 5% të PBB-së dhe me mjekë e infermierë që ikin çdo vit drejt jashtë (WHO 2022).
Investimi në kërkim-zhvillim është vetëm 0.19% e PBB-së, më i ulëti në kontinent (Eurostat GBARD 2024).
Në të njëjtën kohë, remitancat e diasporës, që përbëjnë mbi 7% të PBB-së (Banka e Shqipërisë 2023), janë shndërruar në serum që mban gjallë trupin, por nuk gjeneron palcë të re.
Ato zbusin dhimbjen, por nuk e kurojnë sëmundjen.
Kjo nuk është më tranzicion.
Ky është transformim i pakthyeshëm, nga një shoqëri e mbështetur mbi rininë në një strukturë që ruan formën, por humb masën.
Një vend që dikur e kishte sovranitetin demografik, fuqinë për të riprodhuar jetën brenda kufijve të vetë, sot e sheh atë të zbehur.
Sovraniteti politik është iluzion, nëse nuk ka sovranitet demografik.
Një komb që nuk lind dot të ardhmen brenda territorit të vet, e ka deleguar të ardhmen diku tjetër.
2013–2025, dekada e humbur dhe tri mandatet e dështimit…
Bilanci i dekadës së fundit është i ftohtë dhe i pamëshirshëm, lindjet ranë nga 35 mijë në 23 mijë, një rënie prej 34%.
Norma e fertilitetit është tkurrur në rreth 1.32, më e ulëta në Europë. Vdekjet qëndrojnë mbi 30 mijë në vit, me kulmin e dhimbshëm në vitin 2021 kur pandemia i çoi në 41 mijë.
Edhe pas saj, bilanci mbetet negativ.
Më shumë varre hapen sesa foshnja lindin.
Nga ana tjetër, mbi gjysmë milioni shqiptarë aplikuan për azil në BE gjatë viteve 2014 – 2022, ndërsa 60% e rinisë shprehu dëshirën për të ikur (INSTAT 2023; Eurostat 2022 – 2023; Gallup 2018).
Universitetet shqiptare, që dikur mbanin mbi 170 mijë studentë në vitin 2012, kanë rënë në më pak se 90 mijë në vitin 2022 (MAS 2023).
Ky nuk është më një grafik që mund të diskutosh në komisione, është një rrjedhje truri, një boshatisje e heshtur e sallave dhe auditorëve.
Mandati i parë (2013 – 2017) nisi me slogane për “Rilindjen Urbane” dhe u përmbush me fasada të reja e me një bonus ceremonial për bebe, 40, 80, 120 mijë lekë, shifra që nuk mbulojnë as një muaj të parë të jetës së një foshnje.
Nuk pati ligj kornizë për demografinë, nuk pati politika strehimi të përballueshme për çiftet e reja, nuk pati instrumente për kthimin e diasporës.
Ishte mandati i ngjyrave në pllaka, jo i themeleve në të ardhmen.
Mandati i dytë (2017 – 2021) thelloi estetikën urbane, ndërsa largimi i rinisë mori përmasa të reja.
Shqipëria shpenzoi vetëm 3.1% të PBB-së për arsim dhe 5% për shëndetësi (UNESCO 2022; WHO 2022).
Në vend që të hapeshin laboratorë, u zbrazën auditorë.
Në vend që të forcoheshin spitalet, u dha më shumë hapësirë kontratave koncesionare, inceneratorët morën mbi 430 milionë euro (IMF 2022), sterilizimi i pajisjeve kushtoi 53% më shumë se alternativa publike (KLSH 2021), ndërsa check-up-i u pagua me 120 milionë euro për një efekt minimal (BIRN 2022).
Këto ishin shifra të drejtuara drejt kozmetikës buxhetore, jo drejt themeleve të zhvillimit.
Mandati i tretë (2021 – 2025) u gjend përballë pandemisë. Vdekshmëria e tepërt e vitit 2021 mbeti plagë e hapur.
Lindjet nuk u ringritën.
Emigrimi nuk u ndal. Dhe përkundër kësaj krize, Shqipëria hyri në vitin 2025 ende pa një Strategji Demografike Kombëtare, pa një audit demografik të politikave publike, pa një plan të qartë që të lidhte vizionin politik me mbijetesën kombëtare.
Kështu, dekada 2013 – 2025 është dekada e dallimit të thellë midis pamjes dhe substancës.
U ndërtuan rrugë, sheshe e kulla; por nuk u ndërtuan fëmijë, çerdhe e laboratorë.
U investua në fasadën që duket, jo në palcën që mban. Ky dallim midis imazhit dhe jetës, midis betonit dhe gjakut, është thelbi i dështimit.
Standardi krahasues dhe pse të tjerët panë kthesë e ne jo…
Hungaria u përball me të njëjtën dilemë si gjithë Europa Lindore, por zgjodhi të mos heshtë.
Ajo vendosi instrumente konkrete, kredi të falshme për nënat me tre ose më shumë fëmijë, lehtësira tatimore për nënat me katër ose më shumë, subvencione banese për familjet e reja.
Rezultati nuk ishte spektakël retorik, por ndryshim i matshëm: norma e fertilitetit u rrit nga 1.25 në rreth 1.59 (Eurostat 2021). Polonia ndoqi një qasje tjetër, më të drejtpërdrejtë, programi “500+”, një pagesë mujore për çdo fëmijë.
Rezultati?
Ulje e varfërisë fëmijërore dhe stabilizim i lindjeve (World Bank 2020; Eurostat 2021). Serbia dhe Kroacia vendosën shpërblime direkte për lindjet, programe për kthimin e diasporës dhe stimuj lokalë që lidhin familjen me vendin.
Në të gjitha këto raste, një gjë është e përbashkët, shteti e kuptoi se demografia nuk është as çështje private, as luks politik, por themel i mbijetesës.
Dhe për këtë, shteti mobilizoi instrumente financiare, ligjore dhe sociale.
Shifrat lëvizën sepse politika nuk u fsheh pas propagandës, por krijoi kushte reale.
Shqipëria, përballë së njëjtës sfidë, ka ofruar vetëm një pagesë njëherëshe për bebe, 40, 80, 120 mijë lekë nuk mjafton as për muajin e parë të shpenzimeve të një foshnje.
Nuk ka asnjë ligj strategjik për demografinë 2025 – 2050, asnjë objektiv të matshëm për lindjet, asnjë buxhet të dedikuar për familjen.
Nuk ka paketa kthimi për profesionistët, asnjë plan për kthimin e mjekëve, inxhinierëve, mësuesve që ikin.
Arsim dhe shëndetësi janë nën standardet minimale të rajonit, ndërsa shpenzimet për kërkim – zhvillim janë në fund të tabelës së Europës.
Konkluzioni është i qartë dhe i pamëshirshëm, aty ku ekziston vullnet politik, dizajn ligjor dhe financim i qëndrueshëm, shifrat reagojnë.
Aty ku ekziston kozmetikë, propagandë dhe mungesë ligji, shifrat bien.
Ky nuk është fat. Kjo është arsye.
Ky nuk është dënim nga qielli.
Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve politike.
Paralajmërimi për mandatin e katërt, vijë e kuqe historike
Këto ditë Edi Rama nis mandatin e katërt. Tashmë, ky mandat i 4 është edhe vijë ndarëse, ose Shqipëria bën politikë familjare, rinore, arsimore e shëndetësore me peshë kushtetuese, ose e pranon se po bën me vetëdije rrëshqitje drejt shuarjes.
Të hysh në këtë mandat pa Strategji Demografike Kombëtare është njëlloj si të nënshkruash dorëheqjen nga e nesërmja. Qeveria gjykohet jo për fasadat që ngre, por për bankat e shkollës që mbyllen, maternitetet që heshtin, kthimet që nuk ndodhin.
Ky është momenti i një Doktrine të Mbijetesës Demografike, jo si broshurë e zhurmë propagnde, por doktrinë, detyrë patriotike, akt normativ, ligj e strategji.
Shqipëria ka nevojë për një ligj themeltar të jetës. Jo një dokument më shumë në sirtar, por një kontratë morale mes shtetit dhe qytetarëve.
Një akt ku fjala nuk është premtim, por garanci.
Duhet, Doktrina e Mbijetesës Demografike.
Mund të mjaftojnë edhe vetëm pesë nene dhe një objektiv kombëtar.
Shqipëria është në një udhëkryq ku nuk mjaftojnë më retorikat.
Sot na duhet me se s’bën kjo Doktrinë e Mbijetesës Demografike, që të mos jetë premtim politik, por akt themeltar i kombit.
E ritheksoj, duhet të konsiderohet si kontratë morale dhe ligjore, një ligj i jetës, që askush nuk mund ta ndryshojë sipas interesit të radhës, por vetëm me super-shumicë kombëtare.
Ky akt nuk është luks. Është domosdoshmëri historike. Pa të, çdo vit i humbur është një brez më pak, një komb më i tkurrur, një flamur më i rëndë për ta mbajtur.
Neni I, Familja si aktiv strategjik
Familja është themeli i çdo shoqërie dhe i çdo shteti. Pa fëmijë, nuk ka as ekonomi, as ushtri, as kulturë, as të ardhme. Për këtë arsye, Shqipëria duhet të vendosë familjen në qendër të politikës:
• Transfertë mujore e indeksuar për çdo fëmijë deri në 5 vjeç, e lidhur me të ardhurat, për të garantuar drejtësi dhe jo privilegj.
• Strehim i përballueshëm për çiftet e reja: subvencione kredie dhe qiraje në qytetet e mesme dhe fshatra. Pa banesë, nuk ka fëmijë.
• Rrjet kombëtar çerdhesh dhe kopshtesh me standarde të monitorueshme, jo vetëm numër, sepse cilësia e kujdesit të hershëm është themel i barazisë sociale.
• Leje prindërore të paguara për të dy prindërit, me kompensim të plotë për një periudhë të arsyeshme, për të ndarë përgjegjësinë dhe për të hequr barrën nga vetëm një krah.
Neni II, Rinia dhe kthimi i trurit
Rinia shqiptare është kapitali më i madh që sot rrjedh jashtë kufijve. Çdo mjek, mësues, inxhinier i humbur është një boshllëk i përhershëm. Zgjidhja është kthim me kushte reale:
• Lehtësim fiskal 5-vjeçar për profesionistët që kthehen dhe punojnë në rrethe.
• Grante dhe bonuse banese për mjekë e mësues që vendosen në zonat ku mungojnë.
• Njohje diplome brenda 60 ditësh dhe portal kombëtar pune i lidhur me diasporën, me oferta konkrete dhe kontrata të lidhura me qëndrimin.
Neni III, Infrastruktura sovrane
Shqipëria duhet të lërë mënjanë shpenzimet kozmetike dhe të investojë aty ku matet dinjiteti i saj:
• Arsim ≥5% e PBB-së në tre vjet. Çdo klasë e mbyllur është një çarje në murin e kombit.
• Shëndetësi ≥7% e PBB-së në tre vjet. Një vend pa spitale funksionale është një vend i pambrojtur.
• Kërkim – zhvillim ≥1% e PBB-së në pesë vjet. Pa laboratorë, Shqipëria mbetet në prapaskenë të botës.
• Punë fleksibël dhe kujdes ditor i zgjeruar, për të ulur koston e kohës së prindërimit dhe për të bërë jetën e prindërve të rehatshme.
Neni IV, Higjienë fiskale
Pa higjienë fiskale, nuk ka hapësirë për politika familjare. Shqipëria duhet të pastrojë arteriet e saj financiare:
• Moratorium 24-mujor mbi PPP-të jo-kritike, audit i pavarur i kontratave, ridestinim i fondeve drejt familjes, arsimit dhe shëndetësisë.
• Test demografik ligjor për çdo projekt, asnjë ligj, asnjë investim pa vlerësuar ndikimin në lindje, kthim dhe mbajtje të rinisë.
Neni V, Transparenca e pulsit
Një komb nuk jeton me PBB, por me puls.
Për këtë, duhet një Agjenci Demografike e Pavarur që raporton çdo 90 ditë, publikisht:
• lindje,
• vdekje,
• norma fertiliteti,
• migrim neto,
• raport punëtor – pensionist,
• shpenzime arsim/shëndetësi/R&D.
Raportet duhet të lidhen me buxhetet, ministritë me sinjal jeshil marrin fonde shtesë, ato me sinjal kuq sjellin plan korrigjues.
Komunikimi duhet të jetë afirmativ, prindërimi si akt dinjiteti, jo detyrim.
Vetëm kështu shmanget cinizmi i propagandës nataliste.
Objektivi Kombëtar, nga humbja tek rigjenerimi
Kjo doktrinë nuk është abstraksion.
Ajo duhet dhe ka objektiva të qarta, të matshme dhe shkencërisht të verifikueshme:
• Norma e fertilitetit: nga 1.3 në 1.6 brenda 5 vitesh. Ky është realizmi i përvojës europiane (Hungari, Poloni). Jo “boom”, por kthesë modeste e qëndrueshme.
• Bilanci natyror: nga -8 000 në zero brenda 5 – 7 vitesh. Arrihet duke ulur vdekshmërinë e parandalueshme dhe duke mbështetur prindërit me shërbime reale.
• Migrimi neto: drejt neutralitetit në 5 vjet. Ambicioze, por e arritshme vetëm me paga konkurruese, strehim dhe kthime të targetuara.
• Popullsia rezidente: të mbajmë mbi 2.8 milion deri në 2030 dhe të synojmë kthimin drejt 3 milionëve deri në 2040. Ky është horizonti i mundshëm dhe shkencërisht i arritshëm, nëse të gjitha politikat ecin bashkë.
Këto pesë nene dhe këto objektiva nuk janë dëshira. Janë kushtet minimale për të shpëtuar nga tharja.
Pa strehim, nuk ka lindje.
Pa kujdes të hershëm, nuk ka barazi.
Pa arsim e shëndetësi, nuk ka dinjitet.
Pa kthim truri, nuk ka zhvillim.
Pa higjenë fiskale, nuk ka fonde.
Pa transparencë, nuk ka besim.
Kjo është kontrata e re që Shqipëria duhet të nënshkruajë me vetveten. Dhe kjo është kontrata që nuk falet nëse shkelet, sepse çdo vit i humbur nuk është grafik në INSTAT, por një klasë më pak në shkollë, një maternitet më bosh, një fshat më i heshtur.
Rreziku ekzistencial dhe thirrja e fundit
Shifrat e vitit 2023 janë një aktakuzë e ftohtë dhe e pamëshirshme kundër politikave të zbrazura: vetëm rreth 23 mijë lindje, mbi 31 mijë vdekje, një bilanc natyror negativ prej 8 mijë vetësh (INSTAT 2023).
Mosha mesatare e popullsisë ka kaluar tashmë 38 vjeç dhe vijon të ngjitet me shpejtësi drejt 44 deri në mesin e shekullit (Eurostat 2022).
Në qarqe të tëra, popullsia është tkurrur me mbi 20% (INSTAT 2022).
Dhe si të mos mjaftonte, më shumë se 500 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë periudhës 2014–2022 (Eurostat 2023).
Këto nuk janë numra të thatë.
Janë diagnoza klinike, shenja të qarta të një organizmi kombëtar që po shteron.
Çdo grafik është një dhimbje e shndërruar në statistikë.
Një bankë shkolle e zbrazur nuk është thjesht një institucion pa nxënës, por një kambanë që troket për një brez që nuk erdhi kurrë.
Një maternitet i heshtur nuk është vetëm një ndërtesë pa foshnja, por një shenjë e humbjes së shpresës për të ardhmen.
Një fshat i mbetur me vetëm të moshuar nuk është thjesht një hapësirë e heshtur, por një varrezë e hapur ku humbet gjallëria e brezave.
Kur bilanci i jetës kthehet në bilanc humbjeje, kur shkollat mbyllen më shpejt se hapen, kur maternitetet heshtin më shumë se gëzojnë, kur fshatrat nuk dëgjojnë më zërin e fëmijëve por vetëm trokitjen e shkopinjve të pleqve, atëherë kemi hyrë në fazën e paralajmërimit historik.
Këto shifra nuk janë thjesht tregues; janë aktgjykime.
Janë pasqyra ku kombi sheh fytyrën e tij dhe pyet: a kemi ende të ardhme?
Rreziku nuk është vetëm social e ekonomik; është gjeopolitik.
Në Ballkan, dobësia demografike është ftesë për ndikim.
Pa rini, nuk ka ushtri, ekonomi, kulturë.
Pa rini, sovraniteti bëhet procedurë, jo fuqi.
Tri mandate pa strategji demografike; mandat i katërt pa plan është papërgjegjshmëri historike.
Shqipëria ka nevojë për ligj, jo për spote; për buxhet, jo për vizatime; për maternitete që punojnë, jo për sheshe që shkëlqejnë.
Historia nuk pyet për arsyetime; ajo numëron djepat dhe bankat e shkollës.
Nuk regjistron pllakat e shesheve; regjistron sa fëmijë qeshin në oborr.
Shtete të mëdha janë rrëzuar me ushtri; shtete të vogla janë fikur pa zhurmë, nga heshtja e lindjeve dhe ikja e rinisë.
Shqipëria sot duhet të zgjedhë.
Ose një kontratë të re kombëtare ku familja shpallet aktiv strategjik, rinia qëndron sepse ka arsye, diaspora kthehet sepse ka shtigje, dhe prindërimi mbrohet me ligj dhe mbështetet me buxhet.
Ose një fasadë e gjatë që mbaron në skelet me rroba të varura.
Në këtë udhëkryq, prindërimi është akt sovraniteti; familja është institucioni i parë i sigurisë kombëtare; mësuesi dhe mjeku janë gjenerali dhe inxhinieri i një ushtrie pa armë, por me fuqi të jashtëzakonshme, të ripërtërijë dhe të shërojë.
Ne do të gjykohemi jo për fjalët tona, por për fëmijët tanë. Jo për spote, por për djepat. Jo për fasadat, por për themelet.
Nëse ky vend zgjedh themelet, do të rigjenerohet. Nëse zgjedh pamjen, do të zbehet. Koha është sot.
Puls i ri ose heshtje. Zgjedhja është e jona.
⸻
Referenca:
• Banka e Shqipërisë (2023) Remittances Report. Tiranë: Banka e Shqipërisë.
• BIRN (2022) Check-up Concessions Analysis. Tiranë: Balkan Investigative Reporting Network.
• Eurostat (1995) Migration Statistics 1990–1995. Brussels: Eurostat.
• Eurostat (2021; 2022; 2023) Fertility Rate Indicators; Population Age Indicators; Asylum Statistics. Brussels: Eurostat.
• Eurostat GBARD (2024) Gross Domestic Expenditure on R&D. Brussels: Eurostat.
• Gallup (2018) World Poll on Migration Aspirations. Washington: Gallup.
• IMF (2022) Albania: Public Investment Management Assessment. Washington: International Monetary Fund.
• INSTAT (2013; 2023) Population and Housing Census; Vital Statistics. Tiranë: INSTAT.
• ISSH (2022) Raporti i Sigurimeve Shoqërore. Tiranë: ISSH.
• KLSH (2021) Raport auditimi – Sterilizimi. Tiranë: KLSH.
• Ministria e Arsimit (2022; 2023) Statistika arsimore. Tiranë: MAS.
• NBS China (2023) Population Report. Beijing: National Bureau of Statistics.
• OECD (2022) Population Ageing and Sustainability. Paris: OECD.
• Statistics Bureau of Japan (2023) Population Estimates. Tokyo: SBJ.
• Statistics Korea (2023) Population and Fertility. Seoul: Statistics Korea.
• UN (2023) World Population Prospects. New York: United Nations.
• UN DESA (2022) World Population Prospects 2022. New York: UN Department of Economic and Social Affairs.
• UNESCO (2022) Education Expenditure Report. Paris: UNESCO.
• WHO (2022) Global Health Expenditure Database. Geneva: World Health Organization.