Ballina Kosovë Vreshtarët në Kosovë përballë sfidave të shumta këtë vit

Vreshtarët në Kosovë përballë sfidave të shumta këtë vit

15
0

Në qytetin e Rahovecit po vazhdon fushata e vjeljes së rrushit. Vreshtarët, të cilët ankohen për çmimin me të cilin po blihet rrushi, thonë se ky vit është mjaft sfidues për ta.

Ata përmendin edhe dëmet që i pësuan nga ngricat, për çka akoma nuk janë kompensuar nga askush. Si pasojë e këtyre vështirësive, fermerët rahovecianë thonë se nga viti në vit po hiqet dorë nga vreshtaria.

Hadi Behluli, 62 vjeçar, nga qyteti i rrushit – Rahoveci, me përkushtim vazhdon të punojë edhe këtë vit, rreth 2.5 hektarë me vreshta. Ai thotë për Radio Kosovën se është i pakënaqur me çmimin me të cilin po blihet rrushi nga bodrumet dhe se kjo e ka shtyrë të dalë për të shitur në rrugë. Tutje, Behluli thotë se ai e vreshtarët e tjerë po përballen me mjaft sfida.

 “Në fillim, në pranverë, një acar  – ngricë na i ka dëmtuar shumë vreshtat, edhe s’ka sivjet shumë rrush, pak ka këtë vit. Nuk jam i kënaqur me çmime. Vjet, çmimi i rrushit “smederevk” që e kam unë ka qenë 25 centë, ndërsa i “pinotit të zi” ka qenë 32 centë e këto çmime janë njëjtë edhe sivjet. Po punojmë pasi po na i japin këto subvencione, se për ndryshe, jo veç unë, por krejt popullata besoj se i kishim lanë hardhitë shkret e të papunuara”, tha ai.

Edhe vreshtari Habib Dina, që ka rreth 10 hektarë me rrush, ankohet për çmimin, që thotë se është shumë i ulët. Sipas tij, çmimi i ulët i rrushit, rritja e kostos së punimit të vreshtave, por edhe kushtet e pafavorshme klimatike shtyjnë vreshtarët të heqin dorë nga punë që e bëjnë me vite.

Tash njerëzit veç kanë filluar të nxjerrin sipërfaqet e rrushit për përpunim, si pasojë e çmimeve. Shpresoj dhe pres që kësaj radhe Ministria e Bujqësisë të na dal në ndihmë. Ministria vitin e kaluar ka ngrit subvencionet për vreshtarët 5%, pas një periudhë të gjatë edhe pse imputet bujqësore janë ngritur shumë, ndërsa te përpunuesit i kanë ngritur 100%, nga 4 centë në 8 centë për kilogram, mirëpo situata mbetet e pandryshuar’, tha Dina.

Dina i cili drejton Shoqatën e Vreshtarëve, thotë se po të mos ishin subvencionet prej 1 mijë e 50 euro për çdo hektar me vreshta, shumë të tilla nuk do të punoheshin fare. Megjithëkëtë, ai shton se Ministria e Bujqësisë duhet të ofrojë më shumë përkrahje për vreshtarët.

Në Komunën e Rahovecit, e cila tradicionalisht merret me kultivimin e rrushit, besohet të jenë të mbjella rreth 3 mijë hektarë me rrush.