Nga Ola Xama
Shqipëria ka patur sezonin turistik më të dobët të regjistruar që nga viti i pandemisë, sipas shifrave të periudhës janar-korrik.
Në vitin 2022 për periudhën janar- korrik në Shqipëri hynë 1.1 milion më shumë vizitorë të huaj me një normë rritje 40%, në vitin 2023 1.2 milion më shumë (30% rritje vjetore) dhe në vitin 2024 u regjistruan 1.19 milion më shumë vizitorë nga janari deri në muajin korrik me rritje 23%.
Për periudhën janar – korrik 2025 shtesa e numrit të vizitorëve të huaj ishte 225 mijë, me një normë rritjeje 3.5%. Nuk ka rënie të numrit të vizitorëve të huaj, por rënie të ritmit të shtimit të tyre dhe jo pak por me gati 7 herë krahasuar me një vit më parë.
Ndaj në vend të konferencave ku flitet se sa sezon të sukseshëm patëm, është mirë që të identifikohen arsyet se përse Shqipëria nuk është një destinacion i qëndrueshëm ku turistët dëshirojnë të kthehen dhe çfarë po u ofrohet vizitorëve.
Përpara se të gjejmë arsyet te çmimet e larta dhe operatorët privatë, agjencitë publike do të bënin mirë të analizonin shërbimet minimale komunitare që ka në këto zona.
Përgjatë plazhit të Dhërmiut psh, që mbahet si një nga zonat më elitare, kam numëruar gjithsej 4 kosha për mbeturinat, të tejmbushur dhe askush nga bashkia që shkonte të merrte mbetjet. Energjia elektrike ndërpritej sa herë që kishte erë për të mbrojtur linjat nga defektet, ndërsa uji kryesisht ofrohej nga vetë subjektet private që kishin vendosur puse.
Kur pyeta disa biznese lokale në këtë zonë, më treguan se paguanin 35 mijë euro tarifë për shfrytëzimin e vijës bregdetare dhe rreth 25 mijë euro taksa lokale bashkisë, për të mos marrë asnjë shërbim. As ujë, as pastrim, as gjelbërim (pemët dhe asfalti përgjatë plazhit ishte bërë me kontribut privat). Po të matësh llogaritë që bizneset pagujanë dy herë, edhe në bashki dhe privatisht për të marrë shërbimet, çmimi për natë do të rezultojë i lartë.
Ndaj përpara se qeveria të drejtojë gishtin dhe të fajësojë biznesin se përse nuk kthehet turisti, është mirë të pyesë veten dhe bashkitë e këtyre zonave: A ia vlen që të kthehet një turist që paguan deri në 700 euro nata kur nuk ka as ujë, ndonjëherë as drita dhe qelbet nga aroma e plehrave?