Ballina Politika Duçka, këshilltari i Ramës, që lidhi McGonigal me CEFC-në dhe Xi Jinping:...

Duçka, këshilltari i Ramës, që lidhi McGonigal me CEFC-në dhe Xi Jinping: Shiti informacionin e FBI te kinezët

26
0

Zbulohen detaje të reja lidhur me dosjen e ish-agjentit të FBI, Charles Mcgonigal. Sam Cooper, një gazetar i njohur investigativ zbulon detaje mbi raportin e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë.

Në vitin 2017, zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal (në atë kohë) rrodhi informacion sekret mbi hetimin e CEFC, një konglomerat energjetik kinez të lidhur me shtetin dhe me ndikim të drejtpërdrejtë nga presidenti kinez Xi Jinping. Sipas raportit, McGonigal i dha këtë informacion Dorian Duçka-s, që punonte si konsulent i CEFC-së, i cili më pas e përcolli paralajmërimin Patrick Ho-së, një zyrtar i CEFC-së dhe okulist i diplomuar në Harvard, i konsideruar si një “mjeshtër i spiunazhit” brenda rrjeteve të ndikimit të Xi Jinping.

Madje disa javë më vonë, në korrik 2017, Duçka u takua me kryetarin e CEFC-së, kryetarin e CEFC-së, Ye Jianming — mik i afërt i Xi Jinping,- në Francë.

“Në gusht, Ye i tha Ho-së dhe Luft-it në Hong Kong se autoritetet amerikane kishin urdhër-arreste për katër figura të CEFC-së: Ho-në, dy shtetas kinezë dhe “një person me origjinë hebraike i lidhur me CEFC-në” evidentohet në shkrim, raporton syri.net.

Kujtesë: Kompania kineze “CEFC Energy” në vitin 2015 sponsorizoi ekspozitën personale të Kryeministrit Edi Rama në Hong Kong. Kjo kompani në atë kohë kërkonte marrjen e fushave të naftës në vendin tonë, kjo fal ndërhyrjeve të Dorjan Duçkës –  ish këshilltari i jashtëm i Edi Ramës –  dhe Charles Mcgonigal, por hetimi në SHBA duket se ka prishur planet. Syri .net sjell shkrimin e plotë

Shkrimi i plotë The Bureau Sam Cooper

Një zyrtar i lartë i kundërzbulimit në FBI ka nxjerrë informacione të ndjeshme nga një çështje hetimore për një punonjës të CEFC, konglomeratit energjetik kinez të lidhur me shtetin, që më vonë u përfshi në hetimin për ndikimin e Pekinit mbi familjen Biden, sipas një raporti tronditës të inspektorit të përgjithshëm. Raporti përmend gjithashtu vëllain e Joe Biden dhe ish-agjentë të Shërbimit Sekret si të përfshirë në këtë rrjedhje të dëmshme informacioni.

Zbulimet e reja tregojnë detaje të forta mbi ato që tashmë dihen nga një sërë aktakuzash dhe dosjesh gjyqësore që lidhin presidentin kinez Xi Jinping me aktorë kyç në një skemë globale spiunazhi, pastrimi parash, trafikim armësh dhe ndikimi politik kinez që përfshinte edhe Kombet e Bashkuara dhe synonte elitat ndërkombëtare, përfshirë Hunter dhe James Biden.

Agjenti i korruptuar të FBI-së paralajmëroi Patrick Ho — një zyrtar i CEFC-së dhe okulist i diplomuar në Harvard, i konsideruar si një “mjeshtër i spiunazhit” brenda rrjeteve të ndikimit të Xi Jinping — para arrestimit të tij në Nju Jork, duke penguar gjithashtu hetime thelbësore kundër një tjetër operativi të CEFC-së, të përfshirë në trafikim armësh dhe shitjen e naftës iraniane drejt Kinës, i identifikuar vetëm si  “Target 3” (Shqip: Objektivi 3)

‘The Bureau’ ka konfirmuar se figura kyçe e përmendur në raportin e inspektorit të përgjithshëm është Gal Luft, shtetas izraelito-amerikan i akuzuar, banues në Maryland, i cili u arratis nga Shtetet e Bashkuara pasi rrjedhja e informacionit komprometoi çështjen CEFC, duke qëndruar për vite jashtë ‘rrjetës’ së FBI-së.

Raporti i publikuar të enjten, konstaton se Charles McGonigal, ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, kishte kultivuar lidhje të fshehta me të huaj ndërkohë që mbikëqyrte hetime tepër të ndjeshme. Raporti dallon dy figura kryesore:

· Personi A”, një shtetas shqiptar me lidhje me qeverinë shqiptare, i cili i pagoi McGonigal-it në mënyrë sekrete 225 mijë dollarë.

“Personi B”, një ish-zyrtar i lartë shqiptar që punonte për “konglomeratin energjetik kinez” dhe që kishte lidhje të ngushta me kryetarin e CEFC-së, Ye Jianming — mik i afërt i Xi Jinping, sipas aktakuzës së Gal Luft dhe dokumenteve shoqëruese të shqyrtuara nga “The Bureau’

Sipas raportit të ri dhe burimeve të para të publikuara nga Neë York Times, “Personi B” rezulton të jetë ish-zyrtari shqiptar Dorian Duçka, konsulent i CEFC-së me një pagesë mujore prej 50 mijë dollarësh, i cili gjithashtu ndihmoi në krijimin e kontakteve biznesore për McGonigal.

Divizioni i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork e konsideronte çështjen CEFC si një nga hetimet më të rëndësishme shumëvjeçare. Objektiv ishin CEFC China Energy, dega e saj në SHBA dhe drejtuesit si Patrick Ho e të tjerë, të dyshuar për përdorimin e “statusit këshillimor special” të CEFC-së pranë Kombeve të Bashkuara për të ushtruar ndikim dhe për të korruptuar zyrtarë të huaj.

Hetuesit zbuluan prova se Patrick Ho, një ish-zyrtar nga Hong Kongu me lidhje të forta me elitat akademike të bregut lindor të SHBA-së, kishte kanalizuar miliona dollarë përmes bankave të Nju Jorkut për të korruptuar zyrtarë në Çad dhe Ugandë, në këmbim të përfitimeve për bizneset e CEFC-së.

Një degë tjetër e këtij hetimi të gjerë mbi Ho lidhet me krimin e organizuar kinez dhe me manjantin e zhvillimit të Makaut, Ng Lap Seng, si dhe me një figurë të dyshuar të mafies kineze të përfshirë në skemat e donacioneve dhe ndikimit politik në Australi.

Përtej aferave të CEFC-së që janë në qendër të këtij raporti të ri, FBI dhe Prokuroria e Qarkut Jugor të Nju Jorkut gjithashtu hetuan nëse Ho dhe “Target 3” — i identifikuar nga The Bureau si Gal Luft — ishin përfshirë në trafik armësh dhe shkelje të sanksioneve, përfshirë shitjen e naftës iraniane drejt Kinës dhe trafikimin e paligjshëm të armëve kineze.

McGonigal rrjedhi informacionin mbi këtë hetim të CEFC-së tek Duçka, duke e paralajmëruar posaçërisht për akuzat e pritshme të FBI-së në qershor 2017. Duçka ia përcolli paralajmërimin Ho-së, duke e maskuar burimin si “zyrtarë të lartë të FBI-së”. Fillimisht, Ho dyshoi se kryetari i CEFC-së, Ye Jianming, ishte objektivi i vërtetë dhe po e ushqente qëllimisht me informacion të rremë, duke u sjellë “xheloz” dhe duke e ekzagjeruar për ta mbajtur Ho-në jashtë vendit dhe larg objektivave kryesorë të Pekinit — familjes Biden. Por Luft e këshilloi ta merrte seriozisht paralajmërimin.

Disa javë më vonë, në korrik 2017, Duçka u takua me kryetarin e CEFC-së, Ye, në Francë. Në gusht, Ye i tha Ho-së dhe Luft-it në Hong Kong se autoritetet amerikane kishin urdhër-arreste për katër figura të CEFC-së: Ho-në, dy shtetas kinezë dhe “një person me origjinë hebraike i lidhur me CEFC-në.”

Raporti shton se rreth kësaj kohe, Ye këmbënguli tek Duçka-n për identitetin e izraelitit që po hetohej nga FBI, duke pyetur nëse ishte mik i Ho-së apo ndonjë tjetër izraelit i afërt me të. Ducka më pas u tha hetuesve se i kishte treguar McGonigal-it një foto të një të njohuri izraelit të Ye-së; mungesa e reagimit nga McGonigal e bindi Ducka-n se objektivi i FBI-së ishte tjetri — Luft.

Në mënyrë tronditëse, McGonigal më pas kërkoi ta konfirmonte identitetin e Luft-it brenda FBI-së. Më 21 gusht 2017, të hënën pas pjesëmarrjes në një festë me Duçka-n, ai i dërgoi një mesazh të menjëhershëm një vartësi, një agjenti koordinues mbikëqyrës, duke shkruar: “Si ishte emri i izraelitit, sepse nuk është në raportin tim.” Agjenti iu përgjigj duke i dhënë emrin: Luft.

Inspektori i përgjithshëm konkludoi se kryetari i CEFC-së, Ye Jianming — një bashkëpunëtor i afërt i Xi Jinping sipas aktakuzave të lidhura me Gal Luft — dhe paralajmërimet e tij “luajtën të paktën një rol në vendimin e ‘Targetit 3” (Objektivi 3) për të mos u kthyer në Shtetet e Bashkuara në nëntor 2017, siç ishte parashikuar.”

Luft kishte lënë vendin më 15 qershor 2017 dhe nuk u kthye më kurrë. FBI në Nju Jork kishte përgatitur një urdhër kontrolli për banesën dhe pajisjet e tij, nëse ai do të kthehej. “Për shkak se Objektivi 3 nuk u kthye siç pritej, ekipi i çështjes në FBI nuk kërkoi urdhër kontrolli për banesën apo celularin e tij, siç ishte planifikuar, gjë që përbënte një mundësi të humbur për të mbledhur prova në një hetim penal të rëndësishëm,” theksohet në raport.

Raporti gjithashtu vëren se Ho “diskutoi nëse do të kthehej në SHBA në nëntor 2017 pas paralajmërimit të Kryetarit”. Ai vendosi të vinte, i qetësuar nga garanci të gabuara nga një burim problematik: në mesin e nëntorit, James Biden, vëllai i presidentit të ardhshëm Joe Biden, i dërgoi email dhe e telefonoi një ish-agjent të Shërbimit Sekret në Hong Kong për të konfirmuar nëse ndaj Ho-së kishte urdhër-arrest.

Sipas raportit, James Biden dërgoi më 12 nëntor 2017 një email me subjektin: “Lidhur me çështjen e re, e dua urgjent — jam në Hong Kong”, ku kërkonte informacion për një individ “vetëm mbi një çështje specifike. Shumë e ngutshme. Të lutem më telefono.” Ish-agjenti i tha FBI-së se regjistrat e tij telefonikë konfirmonin disa thirrje me Biden mes datave 12 dhe 14 nëntor 2017, për të diskutuar situatën e Ho-së.

Në një intervistë të FBI-së në tetor 2021, ish-agjenti kujtoi se Biden kishte thënë: “Kemi informacion nga Kina se Ho mund të arrestohet”, dhe se Ho donte të kthehej në SHBA, por kishte frikë nga një urdhër i mundshëm arresti. Agjenti dhe një koleg bënë verifikime në databazë, nuk gjetën asgjë, por paralajmëruan se urdhrat mund të ishin të vulosur.

Raporti gjithashtu zbuloi se Biden i kishte dhënë të dhëna biografike për Ho-në, të cilat agjenti i parë i kaloi një ish-agjenti tjetër të Shërbimit Sekret, që drejtonte një biznes privat hetimesh. Mesazhet mes tyre, më 12 nëntor 2017, tregojnë se agjenti i dytë shkruante: “Klienti ynë ka një person që mund të ketë një urdhër aktiv arresti. Është i lindur jashtë. Do ta marr informacionin së shpejti. Klienti është shumë i interesuar dhe i shqetësuar ta dijë. Do ta dërgoj informacionin sapo ta kem. Klienti është duke udhëtuar jashtë vendit.” Më pas ai përcolli të dhënat personale të Ho-së dhe shtoi: “Mundësisht 3 kinezë dhe 1 izraelit në urdhër arrest.”

I qetësuar nga ky informacion që iu përcoll nga Biden, Ho u nis më 18 nëntor 2017 drejt Nju Jorkut dhe u arrestua sapo mbërriti në aeroportin JFK.

Inspektori i përgjithshëm e përshkroi rolin e McGonigal si “të jashtëzakonshëm,” duke theksuar se pothuajse çoi në akuza për pengim drejtësie. “Përmes skemës së tij, McGonigal dëmtoi qëllimisht një çështje të rëndësishme penale, shkatërroi besimin publik dhe kompromentoi integritetin e FBI-së,” shkruajnë hetuesit.

Ye Jianming, kryetari enigmatik i CEFC-së, është identifikuar në procedura të tjera të qeverisë amerikane si financuesi që kultivoi lidhje me Hunter dhe James Biden. Ai i dha Hunter-it një unazë diamanti të shtrenjtë, ndërsa komunikimet e brendshme nga laptopi i humbur famëkeq i Hunter Biden sugjeronin se Joe Biden ishte “big guy” — përfitues i fshehtë i një kuote aksionesh në një partneritet të mundshëm me CEFC.

Një email i majit 2017, i shkruar nga bashkëpunëtori i familjes Biden, James Gilliar, i gjetur në laptopin e Biden, specifikonte një përqindje prej 10% për “big guy.”

Një tjetër shumë prej 5,1 milionë dollarësh kaloi drejtpërdrejt te entitete të lidhura me Hunter dhe James Biden pasi Hunter i shkroi një bashkëpunëtori të CEFC-së në korrik 2017: “Jam ulur këtu me babain tim” dhe po priste pagesën, raportoi Neë York Post, që publikoi historinë e laptopit të Biden.

Sipas aktakuzës së Luft-it, Ye Jianming kishte “marrëdhënie shumë të ngushta me Presidentin Xi Jinping,” një pretendim që edhe vetë Luft e përsëriste në korrespondencë teksa kërkonte të kultivonte figura amerikane.

Misioni i CEFC-së ishte të zgjaste ndikimin e Pekinit përmes Nismës një Brez një Rruga, duke ndërthurur energjinë, infrastrukturën dhe ndikimin politik në një. Ye gjithashtu u takua me një ish-Drejtor të CIA-s — një figurë e paakuzuar, por e raportuar gjerësisht si James Woolsey — të cilin Luft dhe Ho tentuan ta afronin për një rol në administratën Trump. Në korrespondencë private, Luft e përshkruante Ye si “të afërt me Xi” dhe të aftë të sillte strategjinë gjeopolitike të Pekinit direkt në Uashington.

Luft u akuzua në korrik 2023 me tetë akuza, përfshirë veprim si agjent i paregjistruar i Kinës, trafik armësh dhe gënjeshtra ndaj FBI-së gjatë një takimi në Bruksel në 2019. Ai u arrestua në Qipro, por u arratis ndërsa ishte me kusht, duke u rishfaqur vetëm për të pretenduar se ishte shënjestruar sepse kishte ekspozuar lidhjet e Hunter Biden me CEFC-në. U ri-arrestua në 2024 dhe, sipas një letre të Departamentit të Drejtësisë, është në pritje të ekstradimit në SHBA.

Patrick Ho u dënua në dhjetor 2018 për ryshfete ndaj zyrtarëve afrikanë përmes CEFC-së dhe u dënua me tre vite burg. Raporti i inspektorit të përgjithshëm thekson se ai kishte ë informacion të brendshëm për muaj të tërë para arrestimit.

The Bureau më herët ka raportuar se CEFC ishte pasardhëse e rrjeteve të tregtisë së naftës të kontrolluara dikur nga Lai Changxing, kontrabandist dhe bos droge nga Kina jugore, që ndërtoi një nga sindikatat më të fuqishme në botë, duke kultivuar elitat e Partisë.

Kjo linjë — perandoria e kontrabandës së Lai-t, skemat e ryshfeteve të Ho-së pranë OKB-së, ndërmjetësimi i armëve nga Luft dhe diplomacia e “Një brez një rrugë” e Ye-së — sugjeron fuqishëm se CEFC ka vepruar si një platformë hibride spiunazhi dhe kontrabande që i shërben ambicieve globale të Pekinit, me drejtues të lidhur drejtpërdrejt me Presidentin Xi, sipas aktakuzës së Luft-it dhe vlerësimeve të The Bureau.

Pas dokumentimit se si McGonigal komprometoi çështjen CEFC, inspektori i përgjithshëm detajoi edhe aferat e tjera korruptive të tij. Sjellja e tij e paligjshme u shtri edhe në Rusi.

Në një aktakuzë të veçantë të Prokurorisë së Qarkut Jugor të Nju Jorkut, ai dhe një bashkëpunëtor u akuzuan për konspiracion për shkelje të sanksioneve amerikane dhe pastrim parash duke punuar fshehurazi për Oleg Deripaska, oligark rus i sanksionuar prej kohësh dhe i lidhur me rrjetet e krimit të organizuar.

Hetuesit zbuluan se, ndërsa ishte ende oficer i lartë i FBI-së, McGonigal kultivoi marrëdhënie me agjentin e Deripaskës për t’u pozicionuar për interesa biznesi pas daljes në pension. Në gusht 2023, ai u deklarua fajtor për konspiracion në shkelje të Aktit për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare Emergjente dhe për pastrim parash. Në dhjetor 2023, ai u dënua me 50 muaj burg.