Pas restaurimit të plotë, mjediset e Hamamit Mesjetar të Durrësit tashmë janë një hapësirë e dedikuar ndaj artit. Ekspozita e fotografit italian Fabricio Loiacono, “Glance Off It”, është eventi i parë artistik i këtij lloji në këtë mjedis.
Me 16 fotografi të artit abstrakt, fotografi i njohur italian synon të sjellë para artdashësve durrsakë, një këndvështrim ndryshe mbi objekte, që shpesh kalojnë pa u vënë re, por që bukurinë e kanë të fshehur pikërisht në miksimin që bën veprimtaria njerëzore.
“Kam shkuar në periferi të Romës, ashtu si edhe në qytete të tjera italiane për të parë nga afër objekte të ngurta. Kam shkuar në fabrika që riciklojnë metalin, duke e shtypur, duke i ndryshuar formën. Ndërthuren ngjyrat, ndërthuren llojet e ndryshme të metaleve dhe pikërisht nga kjo kanë lindur këto punimet e mia. Ashtu siç ekspozita është quajtur, vështrimi im është ndalur mbi këto objekte që shpesh lihen pas dore nga njerëzit, sepse nuk tërheqin vëmendjen, përveç atyre që tregohen më të vetëdijshëm për këtë bukuri të fshehur”, shprehet fotografi.
Për drejtorin e Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, ky event ndërthur më së miri historinë dhe artin kontemporan.
“Nëpërmjet këtyre ekspozitave dhe aktiviteteve që ne përpiqemi të bëjmë dhe organizojnë në sitet tona, duam që njerëzit të vijnë dhe të shohin një hamam ndryshe, edhe me art kontemporan”, shprehet z. Ramohitaj.
Pas 20 vitesh me shumë ekspozita personale të hapura në Itali dhe jashtë saj, dhe me çmime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, Loiacono sjell artin e tij në vendin e shqiponjave.
Publiku mund të shijojë artin e tij në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur për një muaj.