Ballina Dossier “Enver Hoxha, i pushtuar nga deliri i pushtetit” – Refleksionet e historianit...

“Enver Hoxha, i pushtuar nga deliri i pushtetit” – Refleksionet e historianit të njohur

23
0

Nga Elsa Demo

Në Shqipëri ka pasur luftë civile, viktima dhe asgjësim me dhunë e një force politike e ushtarake nga Partia Komuniste me organet e saj luftës. Roli vendimtar i jugosllavëve, Popoviçit dhe Mugoshës përkrah Enver Hoxhës duke e shkulur nga rrënjët aleancën e forcave politike për një Shqipëri etnike dhe një luftë të përbashkët çlirimtare. “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” një studim me fakte rrëqethëse për vrasjen e shqiptarëve mes tyre. Dhjetë vite punë në arkiva të studiuesit Uran Butka.

Frika se pushteti mund të ndahej me forcat e tjera politike, apo mund të merrej prej tyre me zgjedhje të lira pas luftës, e çoi udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare në atë qëndrim arbitrar: luftë civile. “Po, në Shqipëri ka pasur një luftë të vërtetë civile. Për dy vjet shqiptarët u vranë mes tyre. Dhe nuk ndodhi në një, dy apo tre fshatra e krahina. Nga Dukati, në Shkodër e Kosovë”.

“Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” i Uran Butkës, një studim me fakte rrëqethëse për vrasjen e shqiptarëve mes tyre. Një vepër që flet për herë të parë me gjuhën e fakteve kokëforta dhe tronditëse për veprat e autorëve të luftës civile, udhëheqësit e ardhshëm të shqiptarëve, shërbyes dhe inferiorë të Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, që rezulton të kenë qenë po aq aktiv në këtë luftë civile të fqinjëve, sa Enver Hoxha vetë.

“Po thyej një tabu, një fetish dhe një qëndrim të betonuar nga një sistem totalitar, por edhe nga historianë të angazhuar për më se një gjysmë shekulli. Nuk është e thjeshtë dhe nuk është e lehtë. Është një përpjekje për një çlirim tjetër, historik dhe njerëzor”, – thotë autori në hyrje të intervistës dhe të prezantimit të momentit të parë të fillimit të luftës civile në vjeshtë 1943.

Z. Butka, sapo keni botuar monografinë “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” e hedhur në qarkullim. Ç‘motive ju shtynë ta trajtoni këtë temë?

Kjo monografi është një sprovë për luftën civile në Shqipëri në vitet 1943-1945, thuajse e patrajtuar deri më sot. Një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një luftë me pasoja tragjike jo vetëm për atë kohë. Është ana e panjohur, pjesa vetëvrasëse ndërmjet shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ajo është e regjistruar në memorien e popullit, por jeton kryesisht në nënndërgjegjen e tij si një fakt dhe si një energji e papërballueshme. Nga ana tjetër, është shënjuar edhe në dokumentet e asaj kohe, ndonëse ka mbetur e fshehur dhe e patrajtuar për motive jashtë-historike, pra, për arsye kryesisht pushtetore, politike dhe ideologjike.

Gjatë një pune më se 10 vjeçare hulumtuese në arkivat shqiptare dhe të huaja, zbulova ekzistencën e pakundërshtueshme të një lufte civile të përgjakshme dhe me mijëra viktima të pafajshme gjatë viteve 1943-1945, madje edhe më tej. Detyra e historianit është të trajtojë objektivisht ngjarje dhe periudha historike, aq më tepër kur këto janë të panjohura, apo të keqtrajtuara, të politizuara dhe të tjetërsuara nga historiografia e mëparshme.

Pra, është motivi historik. Për të qenë i sinqertë, më ka shtyrë edhe një motiv qytetar, njerëzor. Shqiptarët mbartin ende nga ajo luftë një mendësi, psikologji dhe ndërgjegje të vrarë e të trazuar, ndjehen shpirtërisht të ndarë dhe shpesh në armiqësi me njëri-tjetrin.

Mosmarrëveshja që shpesh i ndan edhe sot më dysh shqiptarët, ndërgjegjja e paqetuar e kombit, kriza e identitetit kombëtar, konfliktualiteti politik, etj., i kanë fillesat dhe mbingarkesat ideo-politike, morale e shpirtërore sidomos tek ajo luftë si edhe tek trajtimi, sjellja jonë ndaj saj.

Duhet ta nxjerrim nga heshtja, të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rrezaton ende ajo; duhet të çlirohemi nga pengu e tabutë e së shkuarës, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t‘i bërë ballë me vetëdije të qartë të nesërmes.

Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftërat e vazhdueshme, traumat e mynxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysmëshekullor dhe leximi i keq i historisë i cili vazhdon edhe sot, kanë nevojë më së shumti për të vërtetën, drejtësinë dhe paqen.

A e “sulmon” lufta civile, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare?

Lufta Antifashiste dhe Lufta Civile, nuk janë e njëjta gjë. Lufta Antifashiste kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë (1939-1944), në krah të Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë, është një luftë patriotike e popullit shqiptar, kundër okupatorëve fashisto-nazistë. Ajo nuk është luftë vetëm e njërit krah, apo e një organizate, apo partie, siç është paraqitur njëanshmërisht nga politika, historiografia komuniste, por është kontribut i nacionalistëve dhe partizanëve, i shqiptarëve atdhetarë që luftuan për çlirim.

Personalisht kam vlerësim dhe respekt të madh për këtë luftë, për sakrificat dhe gjakun e derdhur për liri. Ndërsa lufta civile e ka shkakun tek lufta me armë e me gjak për pushtet, tek lufta ideologjike, tek revolucioni bolshevik e lufta e klasave në Shqipëri, e udhëhequr nga PKSH-ja dhe emisarët ruso-jugosllavë. E dominuar nga detyrat e revolucionit komunist dhe të marrjes së pushtetit me dhunë e gjak, kjo luftë e kapërceu shtratin e luftës së popullit shqiptar për çlirim dhe i vuri shqiptarët në luftë kundër shqiptarëve.

Pasojat e saj ishin shkatërrimtare, ajo u shtri në gjithë krahinat e vendit dhe pati mijëra viktima (jo dëshmorë, sepse dëshmorë janë ata që bien për çlirimin e atdheut në luftë kundër pushtuesve të huaj.) Kjo luftë është dhënë e plotë në 650 faqet e librit, nëpërmes 1158 burimeve arkivore shqiptare, gjermane, italiane, britanike, jugosllave etj., pjesa më e madhe e dokumenteve të panjohura dhe të papublikuara më parë.

Ju theksoni dhe dokumentoni rolin e të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave në mosmarrëveshjen ndërmjet shqiptarëve dhe në luftën civile në gjithë hapësirën shqiptare. A ishte vendimtare kjo ndërhyrje?

Po, ishte vendimtare. Sepse jugosllavët e më pas rusët drejtonin realisht PKSH-në, Komitetin e saj Qendror dhe Enver Hoxhën. Synimi dhe përpjekja e tyre ishte të fusnin në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve, që të triumfonte bolshevizmi, dhe Shqipëria të shkatërrohej së brendshmi, të lidhej pas qerres jugosllave (me gjithë Kosovën) dhe të përfshihej në perandorinë komuniste të Lindjes. Udhëheqësve ekstremistë të PKSH-së u interesonte kjo luftë civile, për të marrë pushtetin nëpërmes saj.

Ku nis konfrontimi ndërmjet të majtës dhe të djathtës në Shqipëri?

Si një fenomen shoqëror, lufta civile nuk ndodhi rastësisht, nuk nisi menjëherë. Ajo i ka fillesat qysh me pushtimin fashist të Shqipërisë, i cili u çeli udhë dy rrymave politike dhe luftarake të kundërta: Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare, të dyja lëvizje të përftuara si një reagim ndaj pushtimit të huaj, por me mendësi e vija politike të ndryshme: njëra e djathtë, tjetra e majtë, njëra kombëtare dhe tjetra internacionaliste.

Këto lëvizje thithën, ngërthyen dhe mobilizuan secila pjesë të konsiderueshme të popullsisë së fshatit e të qytetit, kështu që u bë ndarja e madhe e shoqërisë në dy kampe të kundërt, njëri i udhëhequr nga organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe tjetri nga Partia Komuniste. Fillimisht rezistenca dhe lufta kundër pushtuesve kishte karakter patriotik, gjë që i rriti përmasat dhe prestigjin e këtyre organizatave.

Deri në Kuvendin e Mukjes, përgjithësisht zotëroi fryma e mirëkuptimit ndërmjet dy organizatave kryesore politiko-ushtarake: Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Secila kishte programin e vet të dallueshëm, por në themel të tyre ishte lufta kundër pushtuesve nazifashistë. Deri në atë moment kyç të historisë sonë, armik konsiderohej pushtuesi italian qysh në prill 1939 si dhe aleati i tij, okupatori gjerman, i cili sapo ishte dukur në horizontin shqiptar.

Dualiteti i forcave politike dhe ushtarake të kundërta, i kishin premisat edhe të bashkëpunimit por edhe mundësitë e konfrontimit, për shkak të ideologjive, interesave të pushtetit dhe shmangies nga ideali kombëtar. Konferenca e Pezës, shtator 1942, ishte një premisë bashkëveprimi mbi bazën e platformës pluraliste të “bashkimit të të gjitha forcave të popullit shqiptar pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike”.

Pjesëmarrja në të e nacionalistëve të Ballit Kombëtar si individë (Ramazan Jarani, Ismail Petrela, Halim Begeja etj), madje edhe të nacionalistëve të tjerë në forumet drejtuese si Abaz Kupi, Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Myslim Peza etj., përbënte një mundësi për bashkëpunim më të gjerë të gjithë spektrit politik në luftën për çlirim.

Gjithashtu, vendi-marrja në këtë konferencë për luftë imediate kundër okupatorit, duke e lënë pas luftës zgjedhjen e formës së regjimit e zgjidhjen e diferencave politike, krijoi mundësi bashkëpunimi me faktorët e tjerë politikë e luftarakë.

Si ndodhi dhe për çfarë shkaku u zhbënë marrëveshjet mes nacionalistëve dhe komunistëve?

Në shkurt 1943, u arrit një kompromis ndërmjet Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar, për formimin e një Komiteti Qendror të Koordinimit, që do të bashkërendonte veprimet e tyre luftarake. Nuk jemi të sigurt se kush ishte nismëtar, por kjo gjë ka më pak rëndësi sesa vetë arritja e kompromisit.

Në Konferencën e Parë të PKSH-së (17-22 mars 1943), u kërkua dhe u vendos, pas debatesh, bashkëpunimi me nacionalistët, të cilët “janë në marrëveshje e marrëdhënie të mira me partinë” (Hysni Kapo), apo “me nacionalistët duhet të shohim thelbin e vërtetë: aleancën me ne” (nga diskutimi i Nako Spirut), ose “qenia e Ballit nuk e turbullon qenien shqiptare” (diskutimi i Ymer Dishnicës).

Gati gjithë diskutantët vunë në dukje rritjen e influencës së Ballit në qytet e në fshat; “Influenca e Ballit akoma zë vend. Ne nuk e nënvleftësojmë këtë influencë…” dhe shprehën nevojën e koordinimit me të, madje kritikuan majtizmin: “Qëndrimi ynë i pa principtë kundrejt Ballit, mund t‘ia lehtësojë punën fashizmit” (nga fjala e Ramadan Xhangollit) dhe “Qemal Stafa kishte arritë rezultate të mira me nacionalistët, pse ne të arrinim në të kundërta? (Vasil Shanto).

Me këtë vullnet të përbashkët u ngritën komisionet apo komitetet krahinore të koordinimit dhe në këtë frymë u arritën një sërë marrëveshjesh lokale për luftë të përbashkët kundër okupatorëve. Në ‘Marrëveshjen e Mukjes’ (1-2 gusht 1943), u vendos lufta e përbashkët nën udhëheqjen e një forumi pluralist, që u quajt ‘Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë’, me përfaqësues nga të dy organizatat politike dhe ushtarake.

Nën drejtimin e tij u zhvillua më 4 gusht 1943, për dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, beteja kundër italianëve në Qafë-Shtamë nën komandën e Abaz Kupit, atëhere anëtar i Shtabit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Pas ‘Marrëveshjes së Mukjes’, u kryen edhe një sërë aksionesh dhe luftimesh të përbashkëta në gjithë Shqipërinë dhe kjo tregonte së Lufta Antifashiste në Shqipëri, ishte në rrugë të mbarë dhe kishte karakter kombëtar.

Pikërisht kjo i trembi emisarët jugosllavë që bënë çdo përpjekje për prishjen e këtij bashkëpunimi mbarëshqiptar dhe për prishjen e ‘Marrëveshjes së Mukjes’. Shkaku kryesor i zhbërjes së kësaj Marrëveshjeje, i luftës civile ishte çështja e pushtetit.

Frika se pushteti mund të ndahej me forcat e tjera politike, apo mund të merrej prej tyre me zgjedhje të lira pas luftës, e çoi udhëheqjen e PKSH-së në atë qëndrim arbitrar dhe në atë akt antidemokratik, që kishte për qëllim marrjen e pushtetit me forcën e armëve, pa mbaruar ende lufta për çlirim.

Kush e nisi luftën civile, cilët u bënë autorë dhe protagonistë të saj?

Lufta civile nisi menjëherë pas prishjes së ‘Marrëveshjes Kombëtare të Mukjes’, pra, ishte pjellë e mosmarrëveshjes ndërmjet shqiptarëve, por edhe e nxitur nga shtetet apo qarqet politike që kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri. Këtë luftë e nisi PKSH-ja dhe Enver Hoxha, të nxitur nga emisarët rusë e jugosllavë.

Enver Hoxha, i pushtuar gjithnjë e më shumë nga deliri i pushtetit, porosit me anë të qarkores së 8 gushtit 1943 që; “të mos e lemë reaksionin të na marrë frenat nga duart”.

Shkak tjetër parësor për prishjen e marrëveshjes dhe nisjen e luftës civile ishte pa dyshim trajtimi i çështjes shqiptare, veçanërisht i problemit të Kosovës, i formuluar në nenin 2 të Marrëveshjes së Mukjes: “Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht të vet-vendosjes së popujve e, të garantuar nga Karta e Atlantikut për një Shqipëri etnike”, pranuar e firmosur nga të dy delegacionet.

Ky përcaktim prekte direkt interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PK Jugosllave dhe që kërkonin përjetësimin e pushtetit serb të Kosovës, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë, madje edhe përfshirjen e mëvonshme të saj në gjirin e Federatës Jugosllave. Reagimi i shpejtë e i vendosur i Miladin Popoviçit kundrejt Mukjes ishte i kuptueshëm. Kur aktet e Marrëveshjes iu dorëzuan atij, ai i tërbuar i grisi ato copë-copë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës. / Memorie.al/