Shtatë vite më parë, Michele Ricci la Italinë për t’u vendosur në Shqipëri, duke zgjedhur zonën e Vllahinës, në fshatin Kropisht të Selenicës.
Ai nisi me ambicie të mëdha, duke mbjellë 150 deri në 200 hektarë me grurë, elb, misër e kultura të tjera bujqësore. Fillimisht, shteti e mbështeti me subvencione, por vitet e fundit gjithçka ka ndryshuar: kërkesat e tij janë penguar me pretekste si “mospagesa e taksave të tokës” apo mungesa e certifikatave, megjithëse ai pretendon se ka qenë i rregullt me dokumentacionin.
Në një intervistë për Top Channel, Ricci rrëfen vështirësitë, që sipas tij, po e çojnë drejt mbylljes së aktivitetit.
“Pas 7 vitesh, kam mbjellë vetëm 5 hektarë. Është e pamundur të eci përpara pa ndihmën që më takon. Kështu nuk shkohet askund. Do të më duhet të mbyll aktivitetin, sepse jam pa fuqi dhe kapital për të ecur përpara. Prodhimi këtë vit është i pakët dhe nuk kam ku ta shes. Kam ende mbi 600 kuintalë grurë, thekër dhe elb pa shitur. Qiqrat nuk i merr askush këtu, më duhet t’i dërgoj në Itali, por edhe atje dogana kërkon dokumentacion të rregullt”.
Për fermerin italian është absurde, që nuk merr asnjë ndihmë, ndonëse paguan taksat.
“Subvencionet këtu i marrin edhe ata që nuk punojnë tokën. Vitin e kaluar pagova 2.5 milionë lekë taksa dhe nuk mora asnjë qindarkë. Këtë vit parapaguajta 300 mijë lekë dhe po pres listën e atyre që nuk paguajnë, por askush nuk ma jep. Është absurde të paguash taksa dhe të mos marrësh asnjë ndihmë”.
Fermeri italian paralajmëron se së shpejti do të mbyllë siguracionet e shoqërisë dhe do të ndalet.