Festivali i Filmit në Venecie kurorëzoi të shtunën më të mirët e kinematografisë ndërkombëtare, të cilët u bënë pjesë e garës së këtij viti në edicionin e 82-të.
Çmimi më prestigjioz i natës i shkoi regjisorit veteran amerikan Jim Jarmusch për filmin e tij “Father Mother Sister Brother”. Ky film, i ndarë në tre kapituj për tri vende të ndryshme, si Nju-Xhersi, Dublini dhe Parisi, shfaq në celuloid raportet problematike midis prindërve dhe fëmijëve. Pjesë e ansamblit aktorial janë yjet e kinematografisë, si Cate Blanchett, Adam Driver, Tom Waits dhe Charlotte Rampling.
“Ju falënderoj që e vlerësuat filmin tonë të qetë,” tha Jarmusch, një regjisor i cili ka bërë histori kryesisht jashtë botës së Hollivudit. “Neve që bëjmë filma nuk na motivon konkurrenca,” u shpreh regjisori, ndërsa kujtoi një tjetër ikonë të kinematografisë aziatike, regjisorin japonez Akira Kurosawa, i cili kur e vlerësuan me një Çmim në moshë të vonë deklaroi se kishte frikë se nuk e dinte se ç’po bënte. “Unë vazhdoj të mësoj gjithë kohën,” tha Jarmusch.
Luanin e Argjendtë, që është çmimi i dytë më i rëndësishëm i Festivalit të Venecies, e fitoi regjisorja tuniziane Kaouther Ben Hania. Drama e saj “The Voice of Hind Rajab” lidhet me luftën në Gazë dhe tregon historinë e një 5-vjeçareje palestineze të bllokuar brenda një makine që po digjet, teksa ajo dhe të afërmit i largohen luftës. Ajo humbi jetën vitin e kaluar gjatë sulmeve nga trupat izraelite. Duartrokitjet për këtë film zgjatën për një kohë rekord prej 23 minutash pas premierës ditën e mërkurë dhe pretendohej se do të ishte ky fituesi i mbrëmjes.
“Kinemaja nuk na e kthen dot Hindin, as nuk mundet të fshijë mizoritë që u kryen ndaj saj. Asgjë nuk mund të kthejë atë që na është marrë, por kinemaja mund ta ruajë zërin e saj, ta bëjë që të kumbojë tejpërtej kufijve,” tha regjisorja Ben Hania. “Zëri i saj do të vazhdojë të jehojë derisa të mbahet përgjegjësi reale, derisa të vihet në vend drejtësia.“
Regjisori amerikan Benny Safdie u vlerësua si regjisori i tretë më i mirë për filmin “The Smashing Machine”, një film-portret për një ndër pionierët e arteve marciale mikse, Mark Kerr, i cili luhet nga aktori Dwayne “The Rock” Johnson.
Çmimin Special të Jurisë e fitoi dokumentari “Sotto le Nuvole” nga regjisori italian Gianfranco Rosi.
Aktorja kineze Xin Zhilei u vlerësua si aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “The Sun Rises on Us All” të regjisorit Cai Shangjun.
Aktorin italian Toni Servillo u shpall aktori më i mirë i këtij edicioni për interpretimin në filmin “La Grazia” të Paolo Sorrentinos.
Për skenografinë më të mirë u vlerësua Valerie Donzelli dhe Gilles Marchand nga filmi “À pied d’œuvre” i Valerie Donzelli.
Çmimi Marcello Mastroianni, që vlerëson aktorët e rinj, shkoi për Luna Wedler nga filmi “Silent Friend di Ildiko Enyedi”.
Ky edicion nuk rezultoi me sukses për prodhimet më të shtrenjta, si “Frankenstein” i regjisorit Guillermo del Toro, “Jay Kelly” nga Noah Baumbach, “Bugonia” i Yorgos Lanthimos, apo “No Other Choice” nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook.
Pjesë e ceremonisë sivjet ishte dhe një homazh për stilistin e ndjerë Giorgio Armani, i cili ndërroi jetë të mërkurën dhe u përcoll sot nga qytetarë e personalitete të të gjitha fushave. Në nder të tij duartrokiti e gjithë salla e Pallatit të Kinemasë. Armani ishte një nga sponsorët historikë të festivalit.
“Faleminderit Giorgio Armani, që na mësove se krijimitaria jeton aty ku takohen disiplinat – moda, kinemaja, arti, materialet e reja, arkitektura – siç ndodh përditë këtu në Bienalen e Venecies,” u shpreh arkitekti italian Carlo Ratti.