Deputetja 44-vjeçare e Partisë Laburiste Shabana Mahmood është emëruar sekretare e re e Brendshme në një ristrukturim të madh të qeverisë së kryeministrit britanik Keir Starmer.
Mahmood do të bëhet gruaja e parë myslimane që do të drejtojë një nga departamentet kryesore qeveritare policinë, shërbimin e inteligjencës dhe të gjithë politikën e brendshme britanike, pasi deri më tani ka udhëhequr gjyqësorin, raporton KosovaPress.
Tani ajo merr përsipër një portofol edhe më të kërkuar – imigracionin dhe azilin, çështje që shkaktojnë polemika të mprehta politike dhe sociale.
“Ende kemi një moment për t’u përballur me pyetjen se pse kaq shumë njerëz kanë mbyllur sytë ndaj bandave aziatike të abuzimit për vite me radhë”, tha Mahmood për Spectator, duke shtuar se lufta kundër këtyre grupeve duhet të mbetet një përparësi.
Vetëm një muaj më parë, ajo njoftoi se kriminelët e huaj do të deportohen pas vendimit në mënyrë që të lehtësohej sistemi i burgjeve dhe siguria e qytetarëve.
Mahmood u rrit në Birmingem dhe studioi drejtësinë në Kolegjin Lincoln – Oksford, ku ishte presidente e trupit studentor. Ajo refuzoi ofertën për t’u bërë pjesë e një qeverie në hije nga ish-lideri i Partisë Laburiste, duke thënë se qëllimi i saj ishte “ta rikthente këtë parti në zonën e shëndoshë mendore”.