Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj sulmeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një njoftimi në Facebook, Haradinaj thotë se është e dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon atë.
Ai shton se e vërteta për bllokimin e shtetit të Kosovës ka vetëm një emër, dhe sipas tij ai është Albin Kurti.
“E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses.
Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur “hajni bërtet kapeni hajnin”! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij!
E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!
Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në intepretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato!o Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!”, ka shkruar Haradinaj.