Sulmuesi senegalez, Nicolas Jackson, është shprehur i lumtur që te Bayern Munich do ta ketë mundësinë të luajë krah për krah me kapitenin e Anglisë, Harry Kane.
Njëzet e katër vjeçari ka arritur marrëveshje me skuadrën e Vincent Kompany, duke iu bashkuar bavarezëve fillimisht në formë huazimi po me obligim blerje.
Jackson ka thënë se për të është një nder i madh të luajë përkrah Kane, të cilin e konsideron si një nga sulmuesit më të mirë në botë.
“Shpresa ime është të mësoj nga ai, të plotësojmë lojën e njëri-tjetrit dhe të krijojmë një lidhje të fortë në fushë. Nuk ka rëndësi vetëm unë dhe Harry, por e gjithë skuadra.
Jam i bindur se bashkëpunimi me një sulmues të këtij niveli do të më ndihmojë shumë të përmirësohem,” është shprehur Jackson.
Ai ka shtuar se synimi i tyre është që përmes punës së përbashkët të sjellin rezultatet që presin tifozët e Bayern Munich.