Ballina Lifestyle Këngëtarët që “vodhën” shumë këtë verë, çfarë pësoi publiku?

Këngëtarët që “vodhën” shumë këtë verë, çfarë pësoi publiku?

23
0

Vera 2025 ka qenë nga ato verat ku publiku shqiptar ka pasur çfarë të dëgjojë nëpër platformat online. Ka qenë një verë që klubet e natës i ka mbushur plot, dhe shkak për këtë është bërë prezenca e padiskutueshme e artistëve nëpër to, secilën natë verore.

Një gjë që edhe artistët e pohojnë kohëve të fundit është se vera është tkurrë, dhe sezona nuk është më nga fillimi i qershorit deri në fund të gushtit. Por, pavarësisht asaj, për këngëtarët ishte e mjaftueshme e bereqetshme.

Për shembull, Tayna kryeson në të gjitha listat e mundshme të suksesit të këngëtarëve shqiptarë. Suksesin që këngëtarja e korri me “Si Ai” e vazhdoi edhe tutje duke u bërë senzacioni edhe i një vere tjetër, asaj 2025. Dëgjues mujorë në Spotify, kur kërkohet Tayna, numërohen plot 3.8 milion. Ajo mban titullin si artistja më e dëgjuar shqiptare në Spotify për verën 2025, me rritje të konsiderueshme dëgjuesish dhe prani ndërkombëtare. Bashkëpunimi me Butrint Imerin që solli këngën “Lot” është ndër më të klikuarit e kësaj vere nga projektet që Tayna ka sjellë, duke mos lënë anash edhe “Kitara” me Yll Limanin, për të vazhduar me “Ujë”, “Thana” etj. Këto projekte të suksesshme të saj e bënë që ajo poashtu të jetë një ndër artistet më të kërkuara të kësaj vere nëpër klube, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri. Vlen të theksohet edhe paraqitja e saj e shumë komentuar në festivalin Sunny Hill, në të cilin ajo u shfaq krah një orkestre dhe me një paraqitje të menduar mirë paraprakisht.

Ndonëse Tayna mban kurorën në Spotify, krejt afër e ka edhe reperin shumë të dashur shqiptar, Noizy. Edhe ky i fundit numëron 3.8 milion dëgjues mujorë në platformën Spotify. Noizy këtë verë solli këngë me Kidën, albumin “Icon” e shumë e shumë projekte tjera. Noizy nëpër klube nuk mungon asnjëherë, e nuk mungoi as verën e 2025-tës. Përfitimet e tij gjatë kësaj sezone kanë qenë përsëri të mëdha. Vlen të theksohet se nga gjithçka që Noizy ka plasuar në Spotify gjatë verës 2025, ai ka mbërritur të prekë 1.1 miliardë dëgjime totale. Më shumë detaje nuk të duhen për të kuptuar suksesin e kësaj vere për artistin në fjalë.

Yll Limani është poashtu një emër që karakterizon verërat e shqiptarëve çdo vit. Me të qajnë nëpër klube e makina, e ashtu edhe qeshin e argëtohen. Patjetër që ai u sigurua që edhe këtë verë të sjellë këngë solo e bashkëpunime për të prekur zemrat e audiencës, edhe pse krejt kjo në një stil që tashmë jemi mësuar ta shohim këngëtarin. Por, ajo me çka Yll Limani e veçoi veten këtë verë janë dy koncerte në qytete të ndryshme që ai i mbajti dhe që përfunduan si dy projekte shumë të suksesshme, pra pjesëmarrjen me koncert në festivalin e filmit Dokufest, dhe koncertin solistik në qytetin e Shkupit. “Larg” është poashtu një këngë e suksesshme e publikuar nga këngëtari këtë verë, që del të jetë ndër gjërat më të vlerësuara që ai ka bërë gjatë kësaj vere.