Ballina Dossier Letra e vitit 1957: Një komunist nga Lezha denoncon shokët që shkonin...

Letra e vitit 1957: Një komunist nga Lezha denoncon shokët që shkonin në kishë e pagëzonin fëmijët

18
0

Në arkivat e historisë së errët komuniste gjenden dëshmi që tregojnë klimën e dyshimit dhe kontrollit ideologjik që ushqehej mes vetë shokëve të partisë. Një nga këto është një letër e vitit 1957, e shkruar nga një komunist nga Lezha dhe dërguar Rita Markos, funksionar i lartë i Partisë së Punës dhe bashkëpunëtor i afërt i Enver Hoxhës.

Autori i letrës denoncon shokët e tij komunistë që frekuentonin meshët dhe kishat, që pagezonin fëmijët e tyre dhe ruanin lidhje me botën fetare, në një kohë kur partia po përgatitej për të ashpërsuar goditjet ndaj fesë. Denoncimi bëhet plot 10 vjet përpara se të niste fushata e hapur dhe e dhunshme e regjimit kundër institucioneve fetare në vitin 1967.

Në letrën e tij, denoncuesi nuk ndalet vetëm tek besimi fetar, por shënjestron edhe marrëdhënie shoqërore që partia i konsideronte të papranueshme. Ai përmend edhe emrin e Pjetër Gacit, duke e akuzuar se kishte miqësi me “kulakët”. Madje, për ta goditur më fort, ai shfrytëzon rastin të përmendë edhe kunatin e Gacit, duke kërkuar që ky të shënohej si “i lidhur me kulakët”.

Kjo letër tregon qartë se si spiunimi, denoncimet e brendshme dhe gjuha e urrejtjes ndaj fesë dhe “armiqve të klasës” ishin të pranishme në shoqërinë shqiptare që në vitet ’50, shumë përpara shpalljes zyrtare të Shqipërisë si shteti i parë ateist në botë./vna