Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të prokurorisë në vitet e fundit, ndodhet nën kujdes intensiv në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, pas problemeve të shfaqura me zemrën.
Burime zyrtare bëjnë me dije se Dumani, i cili u shoqërua me urgjencë mbrëmjen e kaluar nga ambientet e paraburgimit 313 ku mbahet në izolim, po i nënshtrohet një sërë analizash të specializuara për të vlerësuar gjendjen e tij të plotë shëndetësore.
Për shkak të statusit të tij të veçantë si i penduar i drejtësisë dhe informacionit të ndjeshëm që ka dhënë mbi aktivitetin e grupeve të strukturuara kriminale, mjekët dhe autoritetet po verifikojnë çdo pistë të mundshme, përfshirë edhe dyshimet për një tentativë kriminale ndaj tij, siç mund të jetë një helmim i mundshëm.
Masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm, ndërsa analizat e thelluara pritet të japin një përgjigje të qartë për shkaqet e gjendjes së tij.
Dumani ka dhënë dëshmi kyçe që kanë ndihmuar SPAK-un në goditjen dhe shpërbërjen e disa prej grupeve më të fuqishme kriminale në Shqipëri, dhe rrëfimet e tij janë konsideruar vendimtare për zbardhjen e dhjetëra ngjarjeve të rënda.